Dasma shqiptare në TOB, koreografi Taulant Shehu rikthehet pas 16 vitesh me shfaqjen "Dua"
Pas 16 vitesh, Taulant Shehu, rikthehet në skenën ku përjetoi emocionet e para.
Vjen nga Gjermania, aty ku jeton prej kohësh për të sjellë në Teatrin e Operas dhe Baletit këtë tetor dasmën shqiptare.
"Të kthehem këtu është me të vërtetë një emocion shumë i veçantë."
Shfaqja, një krijim unik i Shehut, ka elementë të shumtë tradicionalë si vallja, shamia, por është një balet kontemporan.
"Ideja, energjia e valles, e traditës, e folklorit, e muzikës, e instrumentit shqiptar.E gjitha kjo e sjellë jashtë kontekstit dhe jashtë kornizës pasi është një balet konteporan."
Nuk përcjell vetëm gëzimin, depërton më thellë duke sjellë dilemë, konflikt e vetmi.
"Nuk mund të sillja në skenë një orë e pak vetëm energjinë e bukur por do të sjellim dhe anën tjetër të medaljes."
Shfaqja titullohet "Dua" e për koreografin Taulant Shehu është një rikthim te rrënjët.
"Dasma është "të dua", është një premtim, përjetësi. Është një premtim i madh, shumë i guximshëm. Këtu fillon dhe drama, sa e guximshme është ti premtojmë dikujt përjetësinë."
Me trupën e baletit të TKOB dhe muzikë nga Aren Stiven shfaqja që ka bërë jehonë në teatrot e huaja do të jetë në skenë për publikun mbrëmjet e datave 8 dhe 9 tetor.

