Reforma territoriale, Haxhimali: Duhen 90 bashki, do ketë më shumë investime në zonat rurale
Eksperti për pushtetin vendor Agron Haxhimali ka sqaruar sot projektin e tij për ndarjen e re territoriale që po diskutohet në Kuvend.
I ftuar në emisionin “Ditë e re” në RTV Ora, Haxhimali u shpreh se ndarja e re territoriale është e domosdoshme, pasi kjo ndarje në 61 bashki nuk është efektive. Sipas ekspertit, për të pasur një eficencë të pushtetit vendor duhen rreth 90 njësi qeverisjeje vendore, pasi siç shpjegoi ka një ndarje jo proporcionale të popullsisë në bashkitë e tanishme.
“Ne propozojmë që të krijohen dhe 30 bashki që të kenë 30 kryetarë, apo të kemi 100 administratorë. Pra ulet numri i administratorëve, ku do të ketë 70% më pak paga. Këta administratorë kanë stafin e vet dhe nuk kryejnë asnjë punë. Kështu i ka ligji, jo për fajin e ndonjërit prej tyre.
Pra unë propozoj që të krijohet një administratë e përqëndruar me kryetarë të zgjedhur dhe me këshilltarë të zgjedhur. T’u japim instrumentet financiare nga qeveria, siç i marrin dhe të tjerët të mbledhin të ardhurat e veta dhe t’u shërbejnë qytetarëve në zonat rurale. Të ketë minibashki të vogla kryesisht në zonat rurale”, është ky propozimi i Haxhimalit.
Më tej ai tregoi se kjo ndarje e re në disa minibashki në zonat rurale do të jetë në të mirë të të gjithëve, pasi do të mblidhen më shumë taksa dhe do të ketë më shumë investime.
