"Më sulmuan se isha shok fëmijërie me Belind Këlliçin", Besart Xhaferri: Dua të më shohin si shërbëtor publik, jo politikani 'djall'
Ka vetëm pak ditë që është zgjedhur në krye të Forumit Rinor Demokrat, një organizatë partnere mjaft e rëndësishme e Partisë Demokratike, forcës politike më të madhe opozitare.
Dhe FRPD merr një tjetër peshë në këtë moment, pasi PD po përgatitet për sfidën e zgjedhjeve lokale dhe padyshim që një rol deçiziv në terren kanë të rinjtë e kësaj partie.
Kryetari i FRPD, Besart Xhaferri, ishte i ftuar sot në emisionin “Ditë e re” në RTV Ora.
Ai ndau me shikuesit edhe këndvështrimin e tij mbi kontestimet që shoqëruan procesin e zgjedhjes së tij në krye të Forumit.
"Pa filluar gara zyrtarisht unë u sulmova si një shok i fëmijërisë i Belind Këlliçit, që ishte një garë e paracaktuar dhe kjo më shumë i ka bërë dëm kandidatëve të tjerë" tha ai.
Fitoren ja dedikon kontaktit që ka pasur me njerëzit gjatë gjithë fushatës por edhe frymës që ai synon të sjellë si drejtues.
“Mendo globalisht, vepro lokalisht, ka qenë parimi im. Do të doja të konsiderohesha më shumë si një shërbyes publik sesa si politikan sepse fjala politikan në Shqipëri shihet si diçka djallëzore. Unë dua të jem ai që do të frymëzojë por edhe që do të arrijë rezultate dhe impakte sociale menjëherë edhe në opozitë".
Nuk la pa vlerësuar dhe stafin mbështetës.

