“Befasia” i zbulon armën nën sedilje, vihet në pranga 19-vjeçari në Mirditë

Një 19-vjeçar në Mirditë ka rënë në prangat e policisë pasi i është gjetur një armë zjarri automatik e fshehur nën sediljen e automjetit që drejtonte.

Gjetja e armës dhe arresimi i tij u bë falë operacionit policor të koduar “Befasia”.

“19-vjeçar  i arrestuar në fshatin Lëkundë, Mirditë është shtetasi me inicialet  D. Gj. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehur poshtë sediljes, një armë zjarri automatik dhe një krehër me fishekë në të, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.”, njofton policia.

Mbi 19 vjeçarin banues në Mirditë rëndojnë veprat penale "Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.