Ish-drejtuesit e Kombinatit Mekanik të Poliçanit në hetim për vjedhjen e uzinës së armëve

Prokuroria e Beratit ka nisur hetimet për ish-drejtuesit e Uzinës së Armëve në Poliçan. 6 ish-punonjës duke përfshirë drejtorin mësohet se janë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi dyshohet se kanë shitur rreth 50 tonë tunxh, ndërsa kanë përfituar shuma të mëdha parash për vete.

Ish-Drejtuesit e Kombinatit Mekanik në Poliçan njohur si Uzina e Armëve e mbyllur në 2020 janë duke u hetuar nga prokuroria në lidhje me zhdukjen e dhjetërave ton lëndë të parë tunxh.

Drejtori i Kombinatit Mekanik Poliçan, shefja e financës, sekretarja, dispeçeri dhe dy magazinierët akuzohen se e kanë shitur lëndën e pare tunxh.

Burimet saktësuan se gjithçka ka nisur me 31 dhjetor 2020 kur kombinati u mbyll, ndërsa Krimi Ekonomik kishte nisur një hetim të thelluar mbi zhdukjen e rreth 50 tonë tunxh.

Hetimet paraprake të krimit ekonomik kanë nxjerrë në pah se lënda e parë ëshë shitur nga ish-drejtuesit e ndërmarrjes, ndërsa do të jenë hetimet e prokurorisë që do të zbardhin ngjarjen e plotë.

Në dëshmitë e tyre paraprake, ish-drejtuesit e kombinatit kanë thënë se gjithçka është vjedhur pa dijeninë e tyre, ndësa nëse vërtetohet kjo vjedhje nga ish-drejtuesit do të përbënte një skandal të madh edhe për faktin se 130 ish-punonjës prej 6 vitesh tanimë kërkojnë pagat e tyre që nuk u janë dhënë prej 2016 deri në 2020.

Ish-drejtuesit e Kombinatit Mekanik të Poliçanit në hetim