Nga porti i Durrësit iku pa u kontrolluar e kapën në Itali. Pezullohet policja, 2 në pranga

Një police në portin e Durrrësit është pezulluar nga detyra ndërsa dy të tjerë janë arrestuar pasi akuzohen se kanë ndihmuar një person të kalojë kufirin pa u kontrolluar.

Shtetasi i identifikuar me inicialet M.B është ndaluar më pas nga autoritetet italiane.

"Shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri tjetrin, më datë 07.09.2022 kanë ndihmuar shtetasin M. B. t’i shmangej kontrollit të rojeve kufitare për të kaluar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar në Portin e Durrësit, duke udhëtuar si pasagjer në sediljen e pasme të automjetit më të cilin udhëtonin" thuhet në njoftimin e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore.

Vendimi

Vendimi për pezullimin nga detyra u mor më 6 tetor nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës.

- Inspektor A. B., me detyrë punonjëse policie në DVKM Durrës, e dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim Detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

“Arrest në burg” për A. B., i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/2 i Kodit Penal.

“Arrest në burg” për L. M., i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshem të kufijve”, parashikuar nga neni 298/2 i Kodit Penal.

Në njoftimin e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore thuhet se: Punjonjësja e policisë A. B., e cila ishte e planizuar me detyrë në përpunimin e udhëtarëve, nuk ka kryer detyrën e saj funksionale për kontrollin e personave që udhëtonin në automjet, duke bërë të mundur që shtetasi M. B. të kalojë kufirin. Ky i fundit është kapur më pas nga autoritetet e policisë italiane dhe është kthyer Inad.