Deputetët, thirrje Gjykatës së Apelit të çlirojë PD-në, Korreshi: Shtatzënë po të ishte, do kishte lindur!
Edhe pse kanë kaluar 7 muaj që çështja e vulës së Partisë Demokratike është kaluar për shqyrtim në Gjykatën e Apelit, ende nuk ka asnjë vendim. Deputetët bëjnë thirrje që në mënyrë të menjëhershme kjo çështje të mos shtyhet më tepër për shkak se po mban peng demokratët dhe rrezikon mënyrën se si do të garojë opozita në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Deputetët Dashnor Sula dhe Saimir Korreshi i kanë bërë thirrje kolegëve demokratë të kërkojnë një vendim përpara dyerve të Gjykatës së Apelit, vendimin i cili prej 7 muajsh po mban peng Partinë Demokratike.
Për ta nuk është më e rëndësishme se cila do të jetë PD-ja zyrtare, por fakti se kjo situatë po përdoret politikisht për t’i çuar të përçarë në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Sula: U bëj thirrje të gjithë deputetëve të opozitës, të jemi para gjykatës së Apelit nesër apo pasnesër.Nuk na intereson se në çfarë krahu është vendimi por na intereson shpejtësia që mos të rrimë më në agoni.
Meqenëse çështja ka mbetur dyerve të gjykatës, deputetët kërkojnë të mos humbasin më kohë.
Sula: Vendimi i gjykatës të jepet një orë e më parë, po mbahet peng opozita, PD, po mbahen peng demokratët dhe gjithë shoqëria. Zvarritja do të ishte një vdekje për opozitarizmin.
Korreshi: Edhe po të ishte shtatzënë do kishte lindur tani. Dy palët janë tërhiq e mos e këput, kjo shkon në dëm të demokratëve.
Edhe deputetët e grupit parlamenar të PD kërkojnë bashkimin, për të mos përsëritur 6 marsin.
Korreshi: Nuk do donim kurrë të hynin në zgjedhjet vendore që janë pas dere të hynim me dy kandidatë apo kandidatët tanë të mos regjistroheshin nën siglën e PD.
Ndërsa Enkelejd Alibeaj shprehet se ka ardhur momenti që strukturat e kësaj force politike të bëhen bashkë, kundër atij që e quan të vetmin “kundërshtar”.
Alibeaj: Armiku kryesor i shqiptarëve është Edi Rama, regjimi të cilin ai ka ngritur. Dhe që është një detyrim që jo vetëm në aspektin vizual të kemi një kandidat të të gjithë atyre që janë kundër këtij regjimi, por duke përqafuar vlerat më të mira euroatlantike të këtij vendi.
Deklaratat politike të secilës palë paraqiten optimiste lidhur me bashkëpunimin e hapur mes tyre por ende nuk flasim për një datë takimi apo mënyrë organizimi të opozitës, e cila njëzëri kërkon të përfaqësohet me kandidatë të përbashkët.
