Rama për sulmet kibernetike: Hakerat nuk ja kanë arritur qëllimit, mos u kuturisni në konkluzione qesharake

Materialet e publikuara sot nga hakerat iranianë rikthyen në Kuvend debatin për sulmin kibernetik.

Nisur nga një replikë me deputetin e PD-së Ferdinand Xhaferraj dhe akuzat e opozitës, Rama tha se asnjë sulm nga hakerat iranianë nuk ka mundur të depërtojë në sisteme.

Rama: Meqë i përdor amerikanët, ata kanë nxjerrë një raport për sulmin. Ata që i dinë ato punë thonë se sulmi nuk ka realizuar objektivin. Objektivi i sulmit që ka qenë një sulm jashtëzakonisht i organizuar me katër grupe ndër të cilat njëri prej tyre në dhjetë të parët e listës së grupeve të terrorit kibernetik nuk e ka realizuar qëllimin për të shkatërruar infrastruktuirën tonë dixhitale dhe për ti fshirë të gjitha të dhënat. Sistemi është ringritur në një kohë shumë të shpejtë. Së dyti, asgjë realisht sensitive nuk është marrë dhe nuk ka asnjë vlerë. Ne kemi ende proces për dixhitalizimin e një pjese të madhe të arkivave. Nuk kemi gjëra me sensitivitet të veçantë në infrastrukturën dixhitale.

Arsyeja pse nuk e ka arritur qëllimin sulmi është se kemi një nivel të caktuar mbrojtjeje. Plani për të ngritur gjithë infrastrukturën e mbrojtjes kibernetike është parashikuar të bëhet në disa faza se nuk i kemi mundësitë. Kjo që ka ndodhur do përshpejtojë fuqizimin e mbrojtjes kibernetike. Mos e ke merak për Ujësjellësin e Durrësit se nuk ka haker që shkon për të bllokuar ujin që vjen në çezmën tuaj. Kemi një infrastrukturë të tërë kritike që është OST, KESH, OSHEE dhe aty sulmi nuk ka pasur asnjë sukses. Mbrojtja është ngritur prej kohësh. Mos bëhemi qesharak që për çdo gjë që ndodh i japim unikalitet që kjo ndodh vetëm këtu. Sulmet kibernetike janë të përditshme, ky është i një niveli shumë të lartë por nuk e ka realizuar një qëllim të tillë. Mos u kuturisni në konkluzione qesharake. Del një listë sot që nuk flet për hakerim por flet se çfarë terreni gjen në kanalet dhe portalet tona një grup i cili ka qëllime dashakeqase ndaj vendit.