Mediu propozon ndryshim të sistemin zgjedhor, Gjiknuri e lë të hapur mundësinë nëse ka konsensus

Edhe pse koha nuk është në favorin e tyre, aktorët politikë kërkojnë që në kalendarin e  punës të Komisionit të Reformës Zgjedhore të bëhen pjesë të gjitha çështjet. Aleatët e PD-së synojnë që sistemi zgjedhor të jetë pjesë e objektit të punës së Komisionit.

Mediu: Komisioni të diskutojë miratimin e ndryshimeve të sistemit zgjedhor dhe aty ka shumë gjëra që mund të diskutohen. Nëse keni rënë dakord dhe mund të vazhdoni të bini dakord edhe kundër propozimit që kemi ne është e drejta juaj.

Bashkëdrejtuesi i Komisionit, socialisti Damian Gjiknuri, tha se për të ndryshuar sistemin do të duhet të ndërhyhet në Kushtetutë, pikë që shkon përtej mandatit të tij.

Pavarësisht kësaj ai e la të hapur mundësinë për të ndërhyrë në sistem në rast se të majtë dhe të djathtë bien dakord.

Gjiknuri: Jemi të hapur të diskutojmë çdo gjë brenda rekomandimeve por që ne palët të biem dakord, të kemi konsensus politik dhe që mund të adresojnë elementë të sistemit pa prekur Kushtetutën. Nëse ka dakordësi dhe për Kushtetutën? Dakord. Por do të krijojmë Komision të reformës kushtetuese siç kemi bërë në raste të tjera dhe kjo është përtej dhe mandatit tim.

Por Gjiknuri mendon se puna e tyre për zgjedhjet e ardhshme vendore do të varet dhe nga produkti i reformës territoriale.

Gjiknuri: Nëse do të ketë ndonjë ndryshim nga Komisioni i reformës  Territoriale ky Komision është i detyruar të reflektojë ndryshimet përkatëse. Mund të zhduken bashkitë nës bien dakord palët, nëse do krijohen rajone të mëdha.

Të majtë dhe të djathtë bien dakord parimisht që për zgjedhjet e ardhshme lokale të bëhen amendime në kodin aktual dhe më pas të shtruajnë një ligj zgjedhor nga e para.