Çarja e re, të rinjtë e PD nën shembullin e të vjetërve, "lumë" akuzash për zgjedhjen e kreut të FRPD
Gara mes gjashtë kandidatëve pretendentë për kryetarë të Forumit Rinor u kthye në debate që pas zgjedhjes së Besart Xhaferrajt si kreu i FRPD. Kandidatë në garë kanë kontestuar problematika në proces teksa PD ka reaguar, duke hedhur poshtë akuzat për manipulim.
Procesi zgjedhor për kryetarin e ri të Forumit Rinor u kthye në një fushëbetejë akuzash. Pas rezultatit se Besart Xhaferraj kryesoi garën me 5256 vota menjëherë pasuan akuzat se procesi u manipulua.
Nga njëra anë kandidati i renditur i treti në garë Mariglen Doçi ngre pretendimet se u abuzua me emrat në lista dhe votuan kundër rregullores anëtarë mbi 35 vjeç.
"Bëhet fjalë për lista të parregullta, persona që e kalojnë moshën dhe nuk kanë të drejtë të votojnë që i kemi parë hapur. Mua më janë hequr mbi 1000 anëtarë të FRPD dhe kam pretendime që në shumë degë të ndryshme për shkak të manipulimeve me procesverbalet nuk më rezultojnë votat që kam marrë."
Po ashtu edhe kandidatja tjetër Barbara Doda përmes rrjeteve sociale deklaroi se gara për Forumin nuk plotësoi as kërkesat minimale për të qenë e tillë, sidomos ditën e votimit ku parregullësitë me listat e anëtarëve dhe numrin e votave janë të shumta.
Kryetari i Komisionit të Votimit dhe Numërimit në Shkodër, Fatjon Mani, i mohoi akuzat për manipulim të votave, siç u publikua në rrjete sociale.
"Me përgjegjësi të plotë individuale dhe politike deklaroj se kjo është një përpjekje për të njollosur procesin në qendrën e votimit në Shkodër, ku nuk është bërë absolutisht asnjë përpjekje për të manipuluar votimin. Ne zotërojmë të gjitha pamjet filmike dhe jemi gati t’i vëmë në dispozicion të medias apo të çdo ankimuesi".
Edhe anëtari i kryesisë së PD-së theksoi për herë të dytë brenda ditës së sotme se procesi i ankimimeve është i hapur për sa kohë ngrihen dyshime mbi transparencën e zgjedhjeve.
