Kajsiu: Politikanët shqiptarë se kanë për gjë të marrin paratë e rusit dhe të bëjnë punën e amerikanit. SHBA e di
Politologu, Blendi Kajsiu, nuk sheh asnjë rrezik të ndikimit rus në politikën shqiptare.
Në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma lidhur me debatin mbi financimin rus të PD-së, Kajsiu thotë se infiltrimi i parave ruse në politikën shqiptare është më shumë një çështje injorancës dhe korrupsionit sesa një problem strategjik.
Politikanët shqiptarë, thotë ai, nuk e kanë për gjë të marrin dhe paratë e rusëve dhe të bëjnë punën e amerikanëve.
Kajsiu: Ata po kërkonin një intelekutor tjetër në skenën politike për të mos u varur shumë nga qeveria aktuale dhe natyrisht ata do besonin te Basha. Për politikanët shqiptarë nuk ka asnjë problem që lekët ti marrin nga rusi dhe tu shërbejnë amerikanëve, nuk ka asnjë kontraditë. Unë nuk e di nëse Basha e dinte nga vinin lekët por fatkeqësisht politikanët tanë në shumicën dërmuese janë të prirur, jo të gjithë se ka plot me integritet, të marrin dhe lekun e rusit dhe të bëjnë punën e amerikanit. SHBA e dinë shumë mirë këtë. Infiltrimi i parave ruse në politikën shqiptare më duket më shumë një çështje e injorancës, korrupsionit, më shumë një çështje banale sesa një problem strategjik që rusët po blejnë politikanët tanë. Është shumë e vështirë për Rusinë të kapë klasën tonë politike sepse ajo është e orientuar drejt SHBA. Dhe vetë Berisha që është shpallur i padëshiruar nga SHBA gjithmonë i bën fresk dhe flet për SHBA dhe Perëndimin.
Politologu thotë se partitë tradicionale janë ezauruar dhe ftesa e tij është që qytetarët të sjellin me votë riciklimin e elitave.
Kajsiu: Një ftesë për të mos votuar partitë tradicionale PS, PD apo PL, të cilat nuk ofrojnë ndonjë alternativë reale qeverisëse. Kemi një opozitë që kërkon të riciklohet pasi është refuzuar fort nga qytetarët shqiptarë prej kohësh në zgjedhjet e përgjithshme dhe një PS që është reduktuar te kryetari i saj, po konsumon mandatin e tretë dhe ka shumë pak për tu ofruar shqiptarëve në një mandat të katërt. Ftesa është të votohet çdo kandidat i ri, çdo forcë e re politike që del në mënyrë të imponohet nga poshtë, nga votuesi riciklimi i elitave tona politike që elitat më të ndenjura në rang jo vetëm rajonal por edhe kontinetal.
Sipas tij, në momentin që elektorati ndryshon sjellje, lind alternativa.
Kajsiu: Alternativa nuk vjen nga hëna, nuk do jetë një elitë e re që do vijë nga Marsi, e papërfolur, perfekte, janë parti të reja që vazhdimisht dalin në zgjedhje por marrin shumë pak vota. Fakti që marrin shumë pak vota ka të bëjë më sjelljen elektorale të votuesit, sistemin tonë politik, emigracionin. Por po ashtu elektorati jonë është mjaft besnik.Ideja se ndryshimi do vijë nga sipër është shumë e gabuar. Është vota që krijon elitën.
Kajsiu nënvizon se përballë kësaj opozite qeverisja socialiste sado problematike të jetë duket shumë më mirë se alternativa e qeverisë.
Kajsiu: Opozita nuk ofron aletrnativë por as vetë qeverisja nuk përbën një alternativë për të ardhmen. Një mandat i katër i Ramës vetëm do shënojë thellime të korrupsionit.
Sa i takon mundësisë për një rigjenerim të PD, ai thotë se këtë nuk e besojnë as vetë PD me zotin Berisha.
