Në zyrën e psikologut të shkollës, rritet numri i nxënësve që kërkojnë ndihmë

E bullizuar nga bashkëmoshatarët, kjo 14-vjeçare ka vendosur ta ndajë shqetësimin e saj me psikologen e shkollës.

Në vetëm tre javë, në zyrën e psikologes Eralba Zenelaj kanë trokitur të paktën 8 nxënës.

Ajo thotë se vitet e fundit është rritur numri i fëmijëve që kërkojnë ndihmën e saj.

"Është parë një trend më i madh i fëmijëve që vijnë dhe kërkojnë ndihmë në krahasim më vitet më përpara që e kishin më me paragjykim rolin e psikologut. Mendoj që fëmijët që vijnë këtu kanë nevojë të flasin në radhë të parë, të shprehen te dikush që nuk i paragjykon apo nuk i njeh."

Aty shkojnë për këshillim nga nxënësit e parashkollorit e deri tek më të mëdhenjtë.

"I këshillojmë në raste stresi. Sidomos fëmijët e vegjël që kanë filluar shkollën për herë të parë dhe duan të ambjentohen, të përshtaten me klasën, shokët e rinj, mësuesen. Nëse ka ndonjë keqkuptim mes nxënësve dhe mësuesit."

Shqetësimet që duan të ndajnë janë të natyrave të ndryshme.

Bullizmi dominon, ankthi po ashtu, por fëmijët ankohen edhe për problemet që kanë mes njeri-tjetrit apo mosmarrëveshjet në familje.

"Mund të jetë një dhunë në familje, midis njëri-tjetrit e çastit, një stres ndaj mësimeve që nuk e përballojnë."

Psikologia, Eralba Zenelaj, thotë se nuk kanë munguar as rastet e rënda si dhuna në familje apo abuzimet seksuale që janë zbuluar gjatë seancave të këshillimit me fëmijët.

"Abuzime psikologjike, abuzime familjare të dhunës, edhe me bazë seksuale por këto janë gjithmonë të rralla".

Në jo pak raste nxënësit i drejtohen zyrës së psikologut pasi shqetësimet e tyre nuk dëgjohen dhe nuk marrin vëmendjen e duhur nga prindërit.

Ndaj këshillohet që fëmijëve t'ju kushtohet më tepër kohë dhe të mos mbingarkohen me detyra nga të mëdhenjtë.