Vrasja e Pjerin Xhuvanit/ Pushohet akuza për efektivët e policisë, Paplekaj dhe dy ish-drejtorët shkojnë për gjykim
Pas 6 seancave të dështuara, Gjykata e Elbasanit vendosi të kalojë për gjykim çështjen ndaj Arbër Paplekajt për vrasjen në rrethana cilësuese të simpatizantit të PS, Pjerin Xhuvani, gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021. Dy ish-drejtuesit e Policisë, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, do të gjykohen për shpërdorim detyre.
Gjykata e Elbasanit vendosi të kalojë për gjykim normal dosjen hetimore për Arbër Paplekajt, ish-efektivin e RENEA-s që akuzohet se vrau simpatizanin e PS-së, Pjerin Xhuvani, 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Vendimi vjen pas 6 seancave të dështuara, për arsye të ndryshme, duke rrëzuar kështu kërkesën e mbrojtjes për rikthimin e dosjes për rihetim dhe rishqyrtimin e disa akteve të saj.
Gjyqtarja, Idush Maliqi, vendosi që për këtë ngjarje të përballen me drejtësinë edhe dy ish-nëndrejtorët e policisë së Elbasanit Albert Nushi dhe Nikollaq Palla dhe 6 efektivët e forcës Shqiponja, që akuzohen për shpërdorim detyre.
Ata ishin të parët që mbërritën në vendin e ngjarjes, por akuzohen se nuk vepruan sipas ligjit për të parandaluar konfliktin që përfundoi në vrasje.
Ndërkohë, hetimi është pushuar për anëtarët e tjerë të strukturës së Partisë Demokratike për mbrojtjen e votës.
Vendimet e gjykatës janë të paapelueshme.
Ngjarja ndodhi më 21 prill 2021 në lagjen "5 Maji" në Elbasan.
Ish-efektivi i forcës RENEA, ishte pjesë e grupit të cilët ndaluan fillimisht Mehmet Grecën në lagjen "5 Maji" me dyshimin se po blente vota për llogari të Partisë Socialiste.
Debatet përshkallëzuan me plumba, të cilët i morën jetën mjekut Xhuvani dhe lanë 4 të plagosur, mes të cilëve edhe efektiven e Policisë Xhensila Sota.
Ngjarja pasoi një sërë akuzash politike mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërsa ishte incidenti më i rëndë që shoqëroi zgjedhjet e tensionuara të 2021.
