"Ia qajmë hallin Gjermanisë se po plaket, ne po na ikën truri"
Gjithnjë e më shumë lajmet se të rinjtë po largohen nga Shqipëria janë duke u përhapur dita-ditës, e ky fenomen sa vjen e po bëhet edhe më shqetësues. Për të trajtuar këtë temë kaq aktuale dhe të rëndësishme, në emisionin “Ditë e re” në RTV ORA, përmes panelit të të ftuarave u diskutua në mënyrë të veçantë në lidhje me arsyet e ikjes së të rinjve në masë.
Studentja e mjekësisë, Dea Guri u shpreh se në dijeninë e saj rreth 70% e studentëve të mjeksësië kanë në plan të largohen nga Shqipëria, duke përmendur kështu jetesën e vështirë në Shqipëri, sidomos prej rritjes së çmimeve. “Qeraja, faturat dhe sidomos kostot e ushqimit përbëjnë shpenzimet më të mëdha të një studenti.”
Nga ana tjetër, sekretarja për Marrëdheniet me Publikun në PD, znj. Jola Hysaj deklaroi se ikja e të rinjve dhe e studentëve ka kosto për vendin duke bërë të qartë shifrën që harxhohet nga shteti që prej ditës së parë të shkollimit.
“Kostoja që merret nga buxheti i shtetit për mbulimin e studimeve të një riu është minimalisht 14 milion lekë të vjetra pa futur shpenzime të tjera. Ia qajmë hallin Gjermanisë që po plaket, ndërsa ne na ikën rinia, e truri”- u shpreh znj. Hysaj.
Gjithashtu ajo theksoi se shteti shqiptar nuk po merr asnjë nismë për të mbajtur studentët në Shqipëri dhe për të mos u detyruar të largohen nga vendi.
Diskutimi vazhdoi duke patur si pikë mbështetëse faktin që të rinjtë, ikjen nga vendi e shohin si një zgjidhje por jo një zgjedhje. Në lidhje me këtë, znj. Jola Hysaj deklaroi që 97% e studentëve që shkojnë jashtë nuk preferorjnë të kthehen më, duke e bërë fenomenin e largimit për studime akoma dhe më shqetësues.
