I doli emri si e dyshuar për krime, Spiropali me gjuhën e Ramës: S’keni më turp dhe patriotizëm

Hakerat që kryen sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë kanë publikuar një tjetër sistem sekret me gjithë databazën e informacionit kriminal të policisë shqiptare.

Grupi i hakerave Homeland Justice, ka hedhur në rrjetin Telegram mëngjesin e së hënës një databazë tjetër të dhënash me personat e dyshuar për krime të ndryshme në Shqipërisë.

Bëhet fjalë për 12 mijë e 500 faqe material që dyshohen se janë nga sistemi Memex, ku janë të renditur në vite me radhë mijëra persona si të dyshuar nga policia.

Kjo databazë konsiderohet si kartoteka kriminale e çdo personi të dyshuar, ku jepet të dhënat personale të individit.

Ndërkohë, në listën kriminale të personave të dyshuar rezulton të jetë, Elisa Spiropali, me detyrë deputete dhe Ministre e Shtetit në qeverinë Rama.

Për një gjë të tillë ka reaguar edhe ministrja Spiropali e cila shkruar se mediat shkojnë pas lajmeve që prodhon Berisha, duke përmenduar njerëz kot.

Spiropali: S’ka më jo turp, po as një minimum sensi logjik të kanaleve e të portaleve në raport me publikun, se për ndonjë ndjenjë minimale patriotizmi as bëhet fjalë! Hakerat e një vendi armiqësor me Shqipërinë postojnë lista me emra pa lidhje dhe këtu hidhen gjylet e akuzave absurde! Thotë Saliu lista Memex, vu portalet lista Memex. Përgënjeshtroi Policia nuk është lista Memex, por lajmet e portaleve mbetën. Shkurt, e hodhën ata një gur në lumë dhe tani o burra të gjejmë ç’lidhje ka Elisa, Niko, Mimi e të tjerë apo edhe disa gazetarë në listën e të dyshuarve të Policisë! Kanë vetëm një lidhje: Lidhjen mes keqdashësisë së atyre që e hedhin gurin dhe ligësisë së atyre që gjoja s’e nxjerrin dot! Qesharake!

Nga ana tjetër, prokuroria shqiptare i ka dërguar autoriteteve ruse një kërkesë për mbylljen e kanalit të grupit Homeland Justice në Telegram por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim.