Rriten rastet e personave me ankth, shkak gjendja socialo-ekonomike

Mjekët thonë se gjithnjë e më shumë qytetarë po kërkojnë ndihmë të specializuar për kurim nga shqetësimet e ankthit. Arjana Rreli thotë se rreth 15-20 pacientë që vuajnë nga ankthi paraqiten çdo ditë për konsultim. Shkaktarët kryesorë janë kushtet ekonomike dhe sociale, e për këtë arsye më të prekur janë personat në moshë aktive.

Vjeshta sjell rritje të problemeve me shëndetin mendor, duke shtuar numrin e atyre që kërkojnë ndihmën e mjekut apo psikologut.

Mjekja psikiatre Arjana Rreli thotë se kryen 15-20 vizita në ditë, për persona të cilët vuajnë nga ankthi.

"Në një ditë mund të hasim rreth 15-20 persona që vuajnë nga ankthi. Në fakt ato janë pjesa më e madhe e vizitave tona. Pjesa tjetër ka lidhje me këto probleme të tjera po të shëndetit mendor, por që kanë gjendje më të rënduara," tha mjekja.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Kryesisht nga këto probleme vuan mosha aktive, e kjo e ndikuar edhe nga kushtet sociale dhe ekonomike që po kalon Shqipëria.

"Tek ne mosha nga 20-50 vjeç janë ato më të prekura prandaj dhe niveli i ankthit është më i rritur për shkak të faktorëve ekonomikë dhe sociale," tha ajo.

Përdorimin e vitaminës D e konsideron me rëndësi në mënyrë që pacientët të kenë imunitet të fortë, por në Shqipëri, thotë ajo, favorizuese janë kushtet atmosferike.

"Nuk akuzohet ajo drejtpërdrejtë për shenjat e lidhura me ankthin, por ën shumicën e personave që vijnë me analizat e përfunduara vihet re një defiçit i vitaminës D," tha ajo.

Mjekja thotë se gjithmonë dhe më shumë vihet re se qytetarët nuk hezitojnë të shkojnë të mjeku psikiatër apo te psikologu duke u sensibilizuar kështu për nevojën e kurimit të këtyre problemeve.