Berisha: Po paralajmërohen kriminelët. Çdo gjë ndodhet në duart e krimit

Sali Berisha akuzon qeverinë se ka zbuluar qëllimisht 105 mijë emrat që janë nën vëzhgimin e policisë. Sipas tij, pas kësaj të gjithë këta persona do të mund ti fshihen drejtësisë, ndërsa shtoi se ccdo gjë realizohet nën bekimin e Ramës.

Dalja e të dhënave të policisë së shtetit për Sali Berishën është i qëllimshëm. Në daljen për mediat nga selia e PD ai shprehet se publikimi i 105 mijë emrave nga hakerat iranianë bëhet si një paralajmërim për personat në hetim.

Sali Berisha:"Janë ekspozuar emrat në mënyrë që të paralajmërohen të gjithë ata që janë në vëzhgim, janë në hetim, janë në shqyrtim për aktivitete të ndryshme kriminale. Është ky një moment jashtëzakonisht i rrezikshëm për vendin. Është ky një moment që dëshmon se çdo gjë në këtë shtet të mafias, ndodhet në duart e krimit."

Berisha akuzon se sulmi është realizuar nga qeveria teksa veçon se prej 15 korrikut nuk është marrë asnjë masë shtesë për mbrojtjen e këtyre sistemeve.

Sali Berisha: "Sistemet janë në mëshirë të atyre që po i sulmojnë dhe po i shkatërrojnë. Natyrisht, sistemi TIMS, sipas burimeve serioze, është sulmuar nga hakera qeveritarë, me qëllim për të zhdukur të gjitha gjurmët e lidhjeve të qeveritarëve, deputetëve, me grupet kriminale dhe trafikantët, udhëtimet e tyre të përbashkëta, të cilat janë një provë e pakontestueshme e bashkëpunimit të krimit me politikën. Kurse, nxjerrja e të dhënave të kartotekës, përbën shkallën më ekstreme të dekonspirimit dhe dorëzimit të këtij shteti mafioz, tërësisht në duart e krimit. Dënoj me ashpërsinë më të madhe, këtë veprimtari kriminale, shtetërore"

Këtë situatë Berisha ia faturon mungesës së drejtësisë dhe kapjes shtetërore të gjyqësorit, i cili sipas tij nuk ka ndërrmarrë asnjë masë për këtë veprimtari që kreu i pd e cilëson mirëfilltazi qeveritare.