Pedagogët protestë më 5 tetor: Do të ketë bojkot të të gjithë vitit, deputetët e opozitës të rrinë larg
Të mërkurën e 5 tetorit pedagogët do të protestojnë sërish. Nëse pagat nuk do të rriten paralajmërojmë bojkot të vitit akademik. Theksojnë se lëvizja e tyre është akademike dhe larg interesave të politikës.
Kërkesat që ende nuk kanë marrë zgjidhje, si rritja e pagës dhe rritja e buxhetit për kërkimin shkencor pedagogët do t'i artikulojnë sërish në protestën e 5 tetorit.
"Do të jetë më shumë një forum universitar akademik ku do të marrin fjalën profesorë të rinj e të vjetër, me eksperincë, do flasin përfaqësues të shoqërisë civile që janë marrë me çështjet e arsimit," Aleksandër Kovaçi.
Nga Universiteti Politeknik Aleksandër Kovaçi, kreu i sindikatës së pedagogëve u bëri thirrje kolegëve t'i bashkohen protestës.
"Të nderuar drejtues të institucioneve të arsimit të lartë publik të të gjitha rangjeve. Ju lutem të qëndroni në lartësinë e detyrës dhe funskionit të caktuar akademik duke mos penguar apo intimiduar pjesëmarrjen në këtë protestë të stafit," tha ai.
Nëse as të mërkurën nuk do të ketë reagim në datën 17 tetor do të bojkotojnë nisjen e vitit akademik.
"Ne do të qëndrojmë të fortë deri në plotësimin e kërkesave që janë minimaliste për sindikatën dhe stafin akademik e administrativ. Bojkoti është një nga mënyrat që do të përdoret," tha ai.
Opozita ka deklaruar se do të mbështesë protestën e pedagogëve por këta të fundit thonë se nuk do t'i pranojnë deputetët në aktivitetin e tyre.
"Deputetët e opozitës nuk kanë punë në protestë, kanë punë në parlament," tha ai.
Në fund të shtatorit pedagogët zhvilluan një takim mbi tre orë me Ministren e Arsimit Evis Kushi por nuk mundën ta bindnin për rritjen e pagave që është kërkesa e tyre kryesore.