Tirana vetëm me një mungesë për ndeshjen derbi, Shehi nuk ndryshon formacion

Nuk ka probleme të mëdha në skuadër Tirana përpara ndeshjes derbi. Trajneri Orges Shehi ka punuar me formacionin pothuajse të plotë gjatë kësaj jave ku mungesa e vetme në grup është maqedonasi Filip Najdovski, i cili vuan nga një dëmtim dhe do të zëvendësohet në mbrojtje nga Përgjoni.

Ekipi kampion tashmë me një formacion të konsoliduar, ka vetëm një dyshim, atë mes Kallakut dhe Patrik pas krahëve të dyshes Xhixha-Hasani në majën e sulmit. Është pikërisht ish-sulmuesi i Laçit lojtari i momentit në grupin bardheblu me 4 gola të shënuar në 5 javë kampionat.

Ndërkohë, prej rreth një jave, skuadra dhe stafi teknik nuk kanë kontakte me mediat për të qenë sa më të fokusuar në sfidën e parë derbi të sezonit që do të luhet të dielën në orën 19:00 në “Air Albania Stadium”. Trajneri Orges Shehi do të flasë për ndeshjen të shtunën në orën 10:30 të paradites.