"Zemra më doli nga vendi", Ambasadori ukrainas me emocione pozitive pas ndeshjes: Vllaznia e meritoi fitoren

"Pothuajse zemra më doli nga vendi".  Me këto emocione e ka përjetuar ndeshjen mes Vllaznisë së vajzave me Vorskla Kharkiv ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov.

Duke folur pas ndeshjes që u mbyll me fitoren historike të Vllaznisë, ai tha se do kishte dashur shumë një fitore të vajzave ukrainase por shtoi se Vllaznia e meritoi fitoren dhe se po largohej nga Shkodra me shijen e një ndeshje të bukur.

"Të dy skuadrat kanë luajtur në mënyrë të shkëlqyer, ishin disa momente shumë pikante. Sigurisht unë do të doja që skuadra e Ukrainës të fitonte ose të kishte barazim por fitoi skuadra shqiptare e cila ka luajtur shumë mirë. Uroj Vllazninë dhe shpresoj shumë që do të kemi sërish ndeshje të bukura".

Ambasadori pranoi se emocionet e luftës kanë qenë të pranishme te vajzat ukrainase.

"Flamuri ndikon padiskutim në lojën dhe sidomos tani lufta ndikon emocionalisht te vajzat. Por skuadra e Shqipërisë ka qenë një skuadër e mirë dhe vajzat e kanë merituan fitoren. Ndeshja ishte shumë e bukur".

Ai shtoi se ngjarje mizore po ndodhin sot në Ukrainë.

"Shpresojmë që së shpejti lufta në Ukrainë do përfundojë dhe gjithë padrejtësitë që po ndodhin ndaj popullsisë civile do marrin fund."

Sporti bashkon njerëz,  theksoi diplomati ukrainas, duke shtuar se sporti mbetet sport pavarësisht gjithçkaje që po ndodh.