Nga Evertoni në frontin e luftës. Rusi i kombëtares thirret rezervist por ai e refuzon

Nga Premier League në vijën e parë të frontit të luftës së Ukrainës. Ky është makthi i një ish-futbollisti të Everton, rusit Diniyar Bilyaletdinov, i cili është thirrur rezervist për t’u angazhuar në luftimet që po zhvillohen në rajonet lindore të Ukrainës prej disa muajsh.

Lajmin e bën të ditur babai i tij që thekson se ftesa i erdhi ndërsa kishte udhëtuar bashkë me stafin e Kombëtares së Rusisë në Kirkizistan por sapo mori vesh për letrën e ardhur nga shtabi i përgjithshëm, vendosi të mos kthehej në Rusi.

Babai i 37-vjeçarit, në intervistën dhënë për mediat ruse bën me dije se kërkesa për mobilizimin e ish-lojtarit të kombëtares që u rendit e treta në Euro 2008 është e parregullt pasi ai e ka kryer një herë shërbimin ushtarak që në moshën 18-vjeçare.

Bilyaletdinov numëron 46 ndeshje me fanellën e Rusisë dhe gjatë karrierës së tij të gjatë, përveç Evertonit, ka luajtur edhe me Lokomotiv, Spartak e Torpedo. Te Everton u transferua në vitin 2009 për 12 milionë euro dhe luajti 58 ndeshje duke shënuar 8 gola, një prej tyre ndaj Manchester United.