Kryeministri Rama kërkon investimet e FIFA-s për ndërtimin e fushave të futbollit në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama premtoi më shumë investime për infrastrukturën e futbollit në vendin tonë dhe këtë e bëri në takimin që pati me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino ku deklaroi se edhe pse jemi një vend i vogël, dashuria që kemi për lojën është e madhe:
“I dashur Gianni, unë po flas me gjuhën e dytë në Shqipëri që është italishtja, për të shmangur gabimet në përkthim. Shqipja nuk është zyrtare në Zvicër, por është gjuha e parë ndërkombëtare që flitet nga shqiptarët që jetojnë dhe dhe luajnë futboll në Zvicër. Nuk duhet të bëj blafsemi, po ju jeni përfaqësuesi i dytë më i rëndësishëm i një feje që është futbolli. Jemi të nderuar që të mikpresim në Shqipërinë e Vogël. Nuk është fuqi e futbollit, por superfuqi e mikpritjes dhe e pasionit në sport, që sigurisht ne duam ta zhvillojmë.
Qeveria për të cilën presidenti dhe shumë presidentë të tjerë kanë votuar nuk ka bërë hiç për futbollin, e ka bërë qeveria jonë. Kemi bërë stadiume, por duhet të ndërtojmë më shumë fusha futbolli. Shpresoj të sjellësh paratë që ke pretuar për fushat e futbollit. Ti vë milionat e tua, ne vendosim qindra mijëra tonat. Dhe me pas presidenti vendos pasionin. Duhet të bëjmë shumë fusha në të gjitha qytetet. Prindërit dhe fëmijët kanë nevojë”.
