“Një jetë e tërë” Qitësja që numëron 90 vende të para rrëfen sfidat dhe arritjet
Ishte vetëm 12 vjeçe kur u magjeps nga sporti i qitjes. Numëron 90 vende të para. Bashkërekordmene e botës në pushkë.
Bëhet fjalë për qitësen Lume Pepa fillesat e së cilës në këtë sport kanë qenë komplet rastësore.
Për të nëse nuk ekziston pasioni nuk mund të bësh asgjë. Në çdo garë që Lume Pepa merrte pjesë gjithmonë dilte në treshen e parë.
Lume Pepa: Është një jetë e tërë. Fillimisht në ekipin e pionjerëve qëndrova pak. Kalova me ekipin e të rinjve. Trajnerët e mi nuk i harroj kurrë ata që kanë qenë meshkuj i kam quajtur si baballarë dhe ata që kanë qenë femra si nëna. Po nuk pate pasion nuk funksionon. Zhvilloheshin shumë gara. Dhe pse nuk i kam arritur pikësynimet e mia unë jetoj me to. Në të gjitha garat që merrja pjesë asnjëherë nuk dilja nga treshja e parë.
Qitësja Lume Pepa thotë se “kur bija në darkë për të fjetur mendoja vetëm të zgjohesha në mëngjes dhe të ushtrohesha.”
Pasioni për të ishte i madh por mundësitë ishin të pakëta dhe një sport i tillë kërkon mjete të posaçme.
Lume Pepa: Ne nuk dum vetëm një top dhe të dalim në fushë. Na duhet një poligon i vërtetë. Na duhet një poligon i mirëfilltë na duhen shumë gjëra. Një qitës kërkon pistoletën që kushton shumë. Një palë këpucë që janë profesionale, sepse nuk mund të bëjë me atlete. Kemi veshje speciale. Ne na duhen këpucë të shtrenjta, xhupë, pantallona, arma që është shumë e shtrenjtë.
“Në vitet tona nuk kishim fatin që kanë sot qitësat. Sportisti nuk është gjatë gjithë vitit në fazë të mirë. Kur sportisti është në kulm atëherë duhet ta shfrytëzojë. Kur unë isha në kulmin tim nuk kisha mundësi të dilja jashtë. Mund të isha kampion e Europe. Pse të mos isha edhe unë.” u shpreh ajo.

