Ka shpresë për Ferrarin. Red Bull nën hetim nga FIA, rrezikon penalizim pikësh
Telashe në horizont për Red Bull Honda, skuadrën që kryeson bindshëm kampionatin e Formula 1 dhe që me një fitore të Max Verstappen në Singapor do të fitonte edhe titullin për pilotë. Në prag të garës së kësaj fundjave, një lajm bombastik ka tronditur bokset e skuadrës me qëndër në Milton Keynes.
FIA po heton në lidhje me bilancet e sezonit të kaluar pasi dyshon që Red Bull ka shpenzuar më shumë se sa kufiri i lejuar, çka mendohet se e ka ndihmuar të fitojë edhe titullin për pilotë në javën e fundit pas duelit të fortë mes Max Verstappen dhe Lewis Hamilton. Federata ndërkombëtare ka hapur tre hetime njëkohësisht por lajmi i madh në këtë mes ka të bëjë me hetimin që lidhet me suksesin e Red Bull.
Nëse nga hetimet rezulton që Red Bull ka shkelur rregulloren duke shpenzuar më shumë se sa është e lejuar, atëherë Mercedes GP mund të kërkojë titullin në tavolinë ndërsa për këtë sezon, Red Bull rrezikon nga gjoba e majme deri në një penalizim të madh pikësh, çka mund të avantazhojë Ferrarin.
