Fitorja e vajzave të Vllaznisë, vjen urimi i Dukës: Futbolli është i bukur se na dhuron emocione të ndryshme

Shija e keqe e ndeshjes së kombëtares me Islandën mbrëmjen e djeshme i la radhën një fitorje historike po në futboll, por kësaj here nga vajzat.

Vllaznia siguroi pjesëmarrjen në fazën e grupeve të UEFA Women's Champions League.

Teksa u ka uruar fitoren e merituar vajzave të Vllaznisë, president i FShF Armand Duka thotë se futbolli është i bukur se na dhuron emocione të ndryshme ditë pas dite.

Duka: Jam i lumtur për vajzat e ekipit të Vllaznisë që sot na dhanë leksion sesi të fitojmë. Sot Vllaznia e vajzave ka shkruar historinë me fitoren kundër ekipit ukrainas të Vorskla Kharkiv dhe tashmë do të marrë pjesë në grupe të Champions League për herë të parë.

Urimet e mia më të sinqerta për vajzat e Vllaznisë, stafin drejtues dhe Presidentin Lazër Matija. Urime për punën e përditshme me vullnet, pasion e përkushtim për të qenë krenaria e qytetit tuaj të mrekullueshëm Shkodrës, por edhe Shqipërisë.

Në FShF kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për mbështetjen e futbollit të vajzave, por ju, na treguat me punën tuaj, se duhet të bëjmë më shumë.

E tani, të jemi gati të shohim vajzat tona të Vllaznisë të shkruajnë historinë e të na përfaqësojnë denjësisht në Europë. Urime Vllaznia. Urime vajza!

Amerikania Paterson dhe mesfushorja Gresa Berisha i sigurojnë Vllaznisë dhe gjithë futbollit shqiptar një arritje që nuk e ka siguruar askush më parë, përfshirë edhe futbollin e meshkujve, fazën e grupeve të UEFA Champions League.

Fitorja 2-1 në sfidën e kthimit kundër ukrainaseve të Vorskla Kharkiv pas barazimit 1-1 të ndeshjes së parë që u luajt po në “Loro Boriçi” për shkak të luftës në Ukrainë, e çon ekipin shkodran në një nivel që nuk ka arritur asnjëherë më parë sepse sezonin e kaluar Vllaznia u ndal pikërisht në play-off.

Sukses historik për skuadrën e drejtuar nga Nikolin Leka, ndërsa klubi i presidentit Lazër Matija do të arkëtojë rreth 550 mijë euro nga ky kualifikim.