Protesta jep efekt, nis rehabilitimi i rrugës Rrëshen-Bukmirë

Rruga Rrëshen-Bukmirë, e dëmtuar nga reshjet e shiut të javës së kaluar do të rehabilitohet sipas të gjitha standardeve. Puna nisi menjëherë pas protestave të banorëve të zonës.

Protesta e banorëve dha efekt. Bashkia e Mirditës u detyrua të reagojë.

Kompania që ka ndërtuar këtë segment rrugor me gjatësi 16 km ka nisur punën për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga rreshjet.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Kryebashkiaku i Mirditës Ndrec Dedaj thotë se krahas riparimit të dëmeve, do të bëhet i gjithë sistemi kullues i rrugës me qëllim që këto problematika të mos përsëriten më.

"Për të përballuar të gjitha dëmet, për të vendosur tubina me kapacitet më të madh, për të ribërë kanalet, për të skarifikuar skarpatat e me rradhë, për të riparuar gjithçka që është dëmtuar dhe për t'i bërë me cilësi më të lartë, me qëllim që dëmet në këtë rrugë të jenë sa më të pakta kur të kemi rreshje të kësaj natyre," tha Ndrec Dedaj, Kryetar i Bashkisë Mirditë.

Rruga Rrëshen-Bukmirë u ndërtua në vitin 2017 nga kompania që shfrytëzon HEC-in në këtë zonë.

Por cilësia e dobët e punimeve bëri që aksi rrugor të dëmtohej brenda një kohe të shkurtër duke vështirësuar jetën e rreth 6 mijë banorëve që kalojnë aty.