“Mospërputhje mes ligjeve” Eksperti Harxhi tregon rreziqet e amnistisë fiskale
Amnistia fiskale është një nismë e rikthyer nga kryeministri Rama por e kundërshtuar nga BE dhe SHBA.
Eksperti i ekonomisë Elton Harxhi në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Ddaj tregoi se pse kjo nismë sjell rrezik për ekonominë.
Elton Harxhi: Çështja kryesore që ka hasur kundërshti është pjesa e lejimit të pasurive që nuk mund të vërtetohet se kush është poseduesi i tyre. Ligji lejon sjelljen e parave nga jashtë dhe jo nëpërmjet institucioneve financiare. Kjo ka rrezik të shtuar lidhur me burimin e sigurimit të këtyre pasurive që mund të jenë nga korrupsioni e krimi. Nuk mund të vërtetohet pronari i vërtet i këtyre pasurive. Ligji lë në harresë dhe nuk shpjegon si do të aplikohet ligji për pastrimin e parave.
“Ky ligj i jep mundësinë dikujt që mund të ketë bërë evazion ose krim ekonomik amnistimin e pasurisë. Gjithmonë pasuritë që amnistohen nuk mund të jenë kesh. Ka mospërputhje mes ligjit për pastrimin e parave dhe këtij projektligji të amnistisë fiskale pasi lejon një kufi përtej atij që lejon ligji tjetër.”, tha eksperti.
