Milot-Morinë, kapen duke transportuar emigrantë të paligjshëm me autobus e makinë roje

Dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht pasi u kapën në flagrancë në autostradën Milot-Morinë duke transportuar në këmbim të parave emigrantë të paligjshëm.

Një 26 vjeçar u arrestua pasi u kap duke transportuar 6 emigrantë, për kalim të paligjshëm të kufirit. Ai shoqërohej dhe ruhej dhe nga një automjet tjetër për të drejtuesi i te cilit u arrestua gjithashtu.

U proceduan penalisht shoferi dhe faturino i një autobusi pasi në të u gjetën dy emigrantë të paligjshëm.

"Në autostradën “Milot – Morinë”, në Thirrë, Mirditë, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe ndaluar 2 automjete dhe pas kontrollit të ushtruar në secilin prej tyre, kanë gjetur, në njërin prej tyre, 6 emigrantë nga vendet e treta MENA, të cilët po transportoheshin kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit. Gjatë kontrollit në automjetin tjetër nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm. Në këtë automjet ndodhej vetëm drejtuesi i tij, shtetasi J. L., i cili shoqëronte dhe ruante automjetin me emigrantë," njoftoi policia.

Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë të 2 drejtuesit e automjeteve, shtetasit B. M., 26 vjeç, banues në Kosovë dhe J. L., 34 vjeç, banues në Tiranë, për vepren penale "Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit".

Në vijim të operacionit “Autostrada”, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, pas disa orësh, është evidentuar dhe goditur një rast tjetër i transportimit të emigrantëve kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit. Në vendin e quajtur Fang, Mirditë, gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin e linjës “Tiranë – Prishtinë”, janë gjetur 2 emigrantë nga vendet e treta MENA.

"Në vijim të veprimeve, u proceduan penalisht shtetasit B. I., 54 vjeç dhe I. H., 33 vjeç, banues në Tiranë, shofer dhe faturino të këtij autobusi, për veprën penale "Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit"," njoftoi policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Milot-Morinë, kapen duke transportuar emigrantë të