Malltezi: Ish-klubi “Partizani” është dhënë me lejen e Ramës, Bashës dhe Veliajt, lojë politike
Në “Drejt” nga Luan Rama në RTV Ora, Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës, u shpreh se kompleksi i pallateve “Partizani” është ndërtuar me lejet e 3 kryetarëve të bashkisë, Ramës, Bashës dhe Veliajt.
Ai tha se kjo është një lojë politike për të sfumuar aferat e qeverisë si ajo e incineratorëve duke shtuar se kjo është një drejtësi me regjinë e Sorosit.
Malltezi: Kompleksi i pallateve është ndërtuar me lejet e 3 kryetarëve të bashkisë, Ramës, Bashës dhe Veliajt. Ndërkohë që është ndërtuar edhe një kopsht nga investitorët dhe është dhuruar për publikun.
Më tepër sesa një hakmarrje personale e Ballës, janë lojëra politike për të sfumuar çështjet dhe aferat e qeverisë. Ne kemi 2 muaj që kemi 150 pyetje SPAK-ut për incineratorët. Këtu për të sfumuar këtë. Kjo është pjesë e drejtësisë së Sorosit me regji. Duan të godasin Berishën përmes meje, ashtu sikurse kanë bërë para 12 vitesh edhe pse nuk kanë gjetur gjë. Është një lojë politike me drejtësinë e kapur.
