Fshehu apartamentin në Selitë, kallëzohet në SPAK për “Pastrim produktesh” gjyqtarja Blerta Marku

Fshehu apartamentin në Selitë, kallëzohet në SPAK për
Blerta Çibuku (Marku)

Teksa gjyqtarja e Gjirokastrës Blerta Çibuku  pritet të njihet nesër me vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dy ditë më parë një kallëzim penal kundër saj është depozituar në prokurorinë e posaçme SPAK.

Blerta Çibuku (Marku), sipas seancës gjyqësore të zhvilluar në ambientet e KPK-së por dhe pretendimeve të ngritura në kallëzimin penal, rezulton të ketë fshehur një apartament, duke e kaluar në emër të nënës së saj.

Gjetjet mbi shkeljet në kriterin e pasurisë të gjyqtares Çibuku, janë konstatuar nga anëtarët e Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit dhe nga zyra juridike “Jurisprudenca”, e cila ka depozituar kallëzimin në SPAK për akuzën “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Nga gjetjet e konstatuara rezulton se Gjyqtarja Blerta Çibuku ka fshehur një apartament në emër nënës së saj, veprim ky i konfirmuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

 Sipas kallëzimit ky institucion kishte njoftuar se në vitin 2012, në emër të nënës së subjektit Blerta Marku (Çibuku) ishte blerë në Selitë të Tiranës, një apartament me sipërfaqe 95 m2, kundrejt çmimit 7.3 milionë lekë.

Nga hetimi i KPK ka rezultuar se bashkëshorti i Markut, kishte transferuar për llogari të shoqërisë ndërtuese vlerën 56 mijë euro në vitin 2007. Dhe Shoqëria ndërtuese ka konfirmuar pagesat e kryera, ndërkohë që ka rezultuar se librezat për pagesat e energjisë elektrike dhe ujin kanë qenë fillimisht në emër të bashkëshortit të subjektit. Komisioni konstaton se Marku nuk e ka deklaruar asnjëherë këtë pasuri, si dhe pakësimin e vlerave të paguara në 2007-ën për llogari të shoqërisë ndërtuese.

Nga gjetjet e hetimit rezulton se subjekti ishte pronare “de facto” në këtë pasuri, për të cilën nuk janë vërtetuar burimet e krijimit, dhe mosdeklarimi i këtij apartamenti është fshehje pasurie.

Në seancë u relatua se gjyqtarja Marku i ka bashkëlidhur deklaratës së “vettingut” një kontratë porosie të vitit 2006 për një apartament në Sarandë të blerë për çmimin 3.2 milionë lekë. Transfertat e pagesave ka rezultuar të jenë kryer nga një llogari rrjedhëse e bashkëshortit në monedhën USD.

Nga verifikimi i lëvizjeve në këtë llogari ka rezultuar se janë transferuar vlera më të mëdha. “…duket se nuk është provuar se e gjithë vlera e transferuar është përdorur për apartamentin…”-thuhet në kallëzimin penal.

Nga ana tjetër KPK-ja në seancën dëgjimore, e cilëson të krijuar me burime të paligjshme një llogari të bashkëshortit të subjektit, ku janë depozituar shuma të ndryshme, ku në një rast është përshkruar se ishte pagesë për punimet që ai kishte kryer.

Dhe KPK-ja, ka konstatuar se nuk është vërtetuar që bashkëshorti i Markut të kishte paguar detyrimet tatimore për të ardhurat e deklaruara si të siguruara nga punimet e kryera prej tij dhe për këtë arsye janë konsideruar të paligjshme dhe.

Në kallëzim thuhet se Marku, ka lidhur një kontratë qiraje fiktive për një apartament në Tiranë.

“…e pyetur nga Komisioni, ajo shpjegoi se kontrata e qirasë ishte lidhur pasi kërkohej si kusht për transferimin në Tiranë, nëse do të mundësohej një gjë e tillë. Ajo këmbënguli se kjo kontratë simuluese nuk kishte sjellë asnjë pasojë, pasi nuk ishte përdorur. Nga analiza financiare përfundimtare, Komisioni konstaton balancë negative në vlerën 13.2 milionë lekë për kryerjen e investimeve dhe mbulimin e shpenzimeve…”-thuhet në kallëzim.

Nga ana tjetër zyra e avokatisë  “Jurisprudenca” ka bërë kallëzim ku thotë se: “…ka hyrë në djeni të faktit se Gjyqtarja Blerta Çibuku, ka gjykuar çështjen me palë paditëse Merushe Makri dhe e paditur Rudina Makri me objekt, Lirim Dorëzim sendi, ku Gjyqtarja Çibuku e ka gjykuar këtë çështje në ndikim nga inspektorë të cilët ishin të punësuar në ish KLD, njëkohësisht Blerta Çibuku, ka pasur lidhje të ngushta me një ndër palët në poçes e cila ka qenë shtetasja R.I.,ku të dyja së bashku në kohën kur ka qenë duke u gjykuar çështja, kanë udhëtuar në republikën e Kosovës, e vërtetuar kjo me sistemin TIMS dhe me fotografinë e bashkëlidhur këtij kallëzimi…”.