KLSH konstaton probleme në prokurimet e bashkisë Sarandë: Abuzime dhe mos kryerje punimesh
Në bashkitë e vendit është kthyer në faktor shqetësues pagesa e kompanive për punimet e pakryera.
Së fundi është Saranda që konstatohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me të njëjtin fenomen.
Kështu thyerja e afateve të kontratës dhe mos kryerjen e punimeve sipas preventivit ka kapur një dëm ekonomik me 10 milionë lekë.
Nga ana tjetër për shkak se nuk është llogaritur saktë fondi limit, kësaj shume i shtohet edhe 2,5 milionë lekë të tjera që rëndohen me TVSH për makineritë me 249 mijë lekë.
Sa i përket kritereve vetëm nga dokumentet e vëzhguara janë zbuluar 11 prokurime me shkelje.
Në raport shtohet se janë vënë re anomali në vendosjen e kritereve dhe shpalljen fitues të Operatorëve ekonomik me një dëm prej 362 mijë lekësh.
Gjithashtu KLSH ka renditur dhe projektet që janë zbuluar me shkelje duke kërkuar edhe kthimin e parave.
Problem në këtë bashki janë konstatuar dhe me neglizhimin e ndjekjes së abuzimeve të paraqitura në verifikimin e ish-komunave, duke sjellë mungesën e të ardhurave në buxhetin e pushtetit vendor.
Nga ana tjetër bashkisë së Sarandës i tërhiqet vërejtje për mungesën e një inventari të saktë të debitorëve të ujësjellësit dhe për mos mbledhjen e taksave nga bizneset.

