Ndryshon ligji i medieve, AMA do të hartojë “Kodin e Sjelljes” për to, gjobë dhe pezullim kush i shkel
Vetëm pak kohë pas tërheqjes nga ligji i konsideruar antishpifje, ku ekspertët denoncuan se synohej kapja e mediave online, qeveria parashikon një tjetër ndryshim, këtë radhë për mediat audiovizive.
Ashtu si edhe në nismën e parë sërish kompetencat kërkohet t’i vendosen AMA-s.
Më saktësisht Autoriteti i Mediave Audiovizive, ku anëtarët zgjidhen me votë nga parlamenti, do të ketë detyrimin për të hartuar kodin e sjelljes. Madje edhe të kontrollojë deri në fund zbatimin e tyre.
Madje në relacionin e paraqitur për nismën pranohet se në projektligj përfshihen për herë të parë konceptet e “bashkërregullimit dhe e vetërregullimit”, përmes Kodeve të Sjelljes, akte që do të përcaktojnë standardet dhe praktikat që duhet të respektohen nga ofruesit e shërbimeve mediatike që ofrojnë shërbime mediatike audio dhe audiovizive.
Në fakt në ligj parashikohet fillimisht që do të jetë AMA që do të përcaktojë kodet e sjelljes dhe në pikën ku mediat vetë të miratojnë kodet e tyre për t’i bërë publike edhe në faqet online.
Por duke iu referuar më tej ligjit, çdo shkelje që do ti bëhet kodeve që do të miratohen nga institucioni shtetëror do të shoqërohet me gjobë dhe deri në pezullimin e licencës duke e bërë të detyrueshëm dhe jo thjesht një rregullator.
Këto ndryshime janë në nenin 30 të ligjit aktual, teksa janë vendosur mes një sërë nenesh që përcaktojnë mbrojtjen nga diskriminimi si dhe deklarimi i pronarëve përfitues.
Ndër të tjera në ligj parashikohen dhe ndryshime të fashës së orareve për reklamat, ndërsa mediat do të rëndohen në financa duke u shtuar dhe detyrimin për të bërë të mundur që informacionet të të arritshme nga personat me aftësi të kufizuara shqisore.

