Arrestimi i mjekut tek Trauma, PD: Show i Ramës për të mbuluar skandalin e mbylljes së “Mehmet Akif”
Logopedi Erges Eskiu ka dalë me një reagim nga selia e Partisë Demokratike lidhur me arrestimin e mjekut tek “Trauma”.
Arrestimi të cilin Eskiu e konsideron si shfaqje u bë për të mbuluar veprimin e fundit jonormal të Ramës mbylljes së shkollës Mehmet Akif.
I thotë se profesioni i mjekut është shndërruar në një punë e cila sipas Ramës duhet t’i shërbejë nesër patronazhistëve.
Erges Eskiu: Mijëra studentë të mjeksisë qindra mjek me eksperiencë mendojnë vetëm të ikin dhe arsyeja është vetëm një, kjo qeveri nuk ofron mbështetje, alternativë, inkurajim për punën e tyre përtej sakrificës. Profesioni i mjekut është shndërruar në një punë e cila sipas Ramës duhet t’i shërbejë nesër patronazhistëve, rrjedhimisht shkatërrimit të zinxhirit profesional për të cilën mjekët kanë dhënë betimin e “Hipokratit”. Fakti është arrestimi i mjekut në Qendrën e Traumës, i shoqëruar me policë me maska sikur të ishte krimineli më i kërkuar në vend.
Pamjet që u panë në rastin e arrestimit të mjekut logopedi Erges Eskiu thotë se nuk po shihen më prej vitesh kundër bandave.
Erges Eskiu: Këto pamje nuk po shihen më prej vitesh kundër bandave të cilat me qeverinë e Ramës, ikin dhe zhduken në drejtim të paditur, sepse janë po këto banda që e mbajnë në pushtet. Arrestimi sa për t’i frikësuar shqiptarët, për t’i dhënë mesazhin e terrorit, ishte një shfaqje e shëmtuar e një inferiori më gen që bën të fortin me të dobëtit dhe përkëdhel kriminelët. Shfaqja që bëri policia me regji të Edi Ramës, tenton të denigrojë figurën e mjekut. Rama kërkon përuljen e mjekëve dhe fjala e tyre të mos ketë peshë në shoqëri.
“Është fare e thjeshtë për t’u kuptuar mesazhi i një tirani: “Largohuni se nuk ju duam”. Shfaqja u bë për të mbuluar veprimin e fundit jonormal të Ramës; mbylljes së shkollës Mehmet Akif me të cilën Edi Rama dëshmoi qartë se është i marrë peng prej Erdoganit dhe po e bën Shqipërinë një shtet satelit të Turqisë."


