Berisha: Marrëveshja Serbo-Ruse një kërcënim i ri për Ballkanin, Vuçiç është një Putin i vogël

Për kreun e PD-së, Sali Berisha marrëveshja Serbo- Ruse në Neë York është një kërcënim i ri për Ballkanin Perëndimor.

Përmes një statusi në Facebook Berisha shkruan se Sergei Lavrov shpreu mbështetjen për ‘Ballkanin e Hapur’, pasi firmosi me ministrin e Jashtëm të Serbisë.

Ai shton se kjo marrëveshje dëshmon qartë dhe përfundimisht se Serbia po sillet si Rusi e vogël dhe presidenti i saj Vuçiç është një Putin i vogël në rajon.

Berisha: Të dashur miq, ministri i Jashtëm i Putin, Sergei Lavrov pasi dështoi në udhëtimin e tij drejt Beogradit në fillim të qershorit të këtij viti, vizitë në të cilën, siç deklaroi vetë, do të shprehte mbështetjen për ‘Ballkanin e Hapur’, u takua dy ditë më parë në Selinë e OKB-së dhe firmosi me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Nikolla Selakoviç, ‘Marrëveshjen për Bashkëpunimin në politiken e jashtme’ midis Moskës dhe Beogradit. Kjo marrëveshje dëshmon qartë dhe përfundimisht se Serbia po sillet si Rusi e vogël dhe presidenti i saj Vuçiç është një Putin i vogël në Rajonin tonë.

Marrëveshja e Beogradit me Moskën pas agresionit rus në zemër të Europës ndaj një vendi të lirë, Ukrainës, fakton se sa iluzive janë përpjekjet për të shkëputur Putinin e vogël të Serbisë nga Putini i Madh i Rusisë. Duke dënuar me forcë këtë si një kërcënim për paqen në rajonin tonë, shtoj se marrëveshja për bashkëpunim në politiken e jashtme midis Moskës dhe Beogradit provon gjithashtu se Edi Rama, ky vasal i Vuçiçit me mbështetjen e ‘Ballkanit të Hapur’ po punon me përkushtim për hegjemoninë ruso-serbe dhe destabilizimin e rajonit dhe kundër interesave kombëtare të shqiptarëve.