Agron Duka: Jemi për një bashkim opozitar në zgjedhjet lokale, të mos përsërisim gabimet e së shkuarës

Deputeti dhe kreu i Partisë Agrare, Agron Duka shprehet se ai dhe partia e tij është për një bashkim opozitar në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Ai thekson se përtej pakënaqësive midis palëve brenda PD-së, është jetike për vendin që ky ngërç të tejkalohet sa më parë në forcën kryesore të opozitës.

Prononcimi i Dukës:

Kam ndjekur me vëmendje qëndrimin e demokrateve të Mirditës, të shprehur nga z. Alfred Duka, i cili nuk sintetizon vetëm vullnetin e tyre për bashkim përpara zgjedhjeve vendore brenda radhëve të Partisë Demokratike, por edhe një kambanë alarmi për opozitën në të gjitha grupimet e saj, pasi zgjedhjet vendore janë pak muaj larg dhe koha nuk pret. Përtej pakënaqësive midis palëve brenda PD-së, është jetike për vendin që ky ngërç të tejkalohet sa më parë në forcën  kryesore të opozitës, sepse ndërkohë që ne nuk kemi nisur ende organizimin, Partia Socialiste e ka nisur fushatën.

Përsëritja e gabimeve të së shkuarës do të ishte edhe më fatale, pasi qytetarët më shumë se kurrë, kanë nevojë të përfaqësohen nëpërmjet opozitës në institucionet e pushtetit vendor, sepse është e qartë për të gjithë që kjo mazhorancë nuk ka asgjë për të ofruar dhe vetëm çorganizimi ynë, lejon qëndrimin e saj në pushtet! Ndaj mbështes qëndrimin e demokratëve të Mirditës dhe urojë që ky vullnet i mirë, të përhapet në gjithë Shqipërinë. Inkurajojë gjithashtu të gjitha forcat opozitare të organizohen një orë e më parë, për të gjetur pikat e bashkëpunimit, të bazuara mbi vlerat e përbashkëta dhe ambiciet për të përfaqësuar sa më mirë qytetarët shqiptarë, duke i dhënë fund monopolit antidemokratik të mazhorancës aktuale moniste.

Si një politikan me një përvojë të gjatë, që në asnjë moment nuk kam vendosur interesat për pushtet mbi qëllimet e përbashkëta, ndjejë përgjegjësinë qytetare që të hedhë një hap në drejtim të bashkimit të opozitës në funksion të zgjedhjeve vendore, duke mbështetur rezolutën e demokratëve të Mirditës si një platformë që i vlen të gjitha partive opozitare.