Iu dogj makina, e reja: Kam konflikte me deputetin e PD-së, Nallbati nga Gjermania: Do ta kallëzoj për shpifje
Një 27-vjeçare nga Bilishti akuzon deputetin e Partisë Demokratike se fshihet pas disa sulmeve ndaj saj. Të resë ditën e diel i dogjën makinën në prag të shtëpisë, e dyta në harkun kohor të katër viteve. 27-vjeçarja e arrestuar një muaj më parë pasi prishi qetësinë publike dhe kundërshtoi efektivët e policisë thotë se ndihet në rrezik për jetën.
Pasi i dogjën makinën e dytë në harkun kohor të katër viteve Deizi Arapi nga Bilishti akuzon ish-kryetarin e Devollit Bledion Nallbati, aktualisht deputet i Partisë Demokratike se qëndron pas sulmeve ndaj saj.
“Dyshoj për një konflikt shumë të vjetër që ka të bëjë me heqjen e mamasë sime nga puna dikur me një ish kryetar, Bledion Nallbati. Personi që ka djegur makinën time punon akoma në karburantin aktual të tij. Shishja e benzinës që është gjetur është marrë po nga i njëjti karburant. Dyshimet e mia.”
E reja nga Bilisht kërkon reagimin e institucioneve dhe zbardhjen e ngjarjes pasi siç thotë ndihet e rrezikuar për jetën.
“As kam vrarë as kam prerë, as kam bërë ndonjë krim, është hera e dytë, herën e tretë do më gjeni kanaleve besoj e sigurt.”
I kontaktuar, ish-kryebashkiaku Nallbati ngre dyshime se 27-vjeçarja paguhet nga persona të tjerë për këto deklarata dhe paralajmëron kallëzim për shpifje ndaj saj.
“E vetmja njohje është për shkak të së ëmës vite më parë. Nuk kam folur asnjëherë me të për asnjë arsye. As pranoj të kem bërë debat. Mendoj se dikush po paguan për të bërë këto deklarata. Sapo të kthehem do të bëj kallëzim penal.”

Deizi Arapi një muaj me parë u arrestua për prishje të qetësisë publike, fyerje e kundërshtim me dhunë të efektivëve të policisë. Teksa ajo përfundoi në pranga, e motra 23-vjeçare ndiqet penalisht në gjendje të lirë.
