Presidentit i kufizohet dhënia e titujve të nderit, edhe këshillat bashkiakë mund të propozojnë

Pas kufizimit të numrit të dekoratave që mund të japë presidenti i republikës në një vit, qeveria ka vendosur të rishikojë dhe procedurën për dhënien e titullit të nderit.

Në këtë proces përfshihen si presidenti ashtu dhe këshillat bashkiakë, por vetëm në raste të veçanta do të ketë kufizim të tyre.

Kështu në draftin e qeverisë parashikohet që presidenti do të ketë të drejtë të japë tituj ambasador i kombit dhe qytetar nderi i Republikës së Shqipërisë.

Ambasador të kombit do të jenë shtetas shqiptar apo të diasporës në shenjë mirënjohje për veprimtari në shërbim të vendit.

Ndërsa Qytetar Nderi do të jenë të huajt që angazhohen në shërbim të kombit e shtetit shqiptar dhe të forcimit të shoqërisë demokratike, brenda dhe jashtë vendit.

Nismën për këto vlerësime do të mund ta bëjnë institucionet që fillojnë nga kryetari i kuvendit, kryeministri, kryetarët e bashkive apo çdo një nga këshilltarët.

Por po ashtu dhe pushteti vendor mund të japë tituj nderi. Edhe në këtë rast pa kufizime numrash.

I vetmi kufizim parashikohet në nenin dhjetë të projektit ku pushteti vendor mund të krijojë jo më shumë se dy vlerësime të veçanta në një vit.

Gjithashtu saktësohet se propozimet mund të vijnë dhe nga vetë shtetasit dhe komuniteti pas kësaj argumentet do të shqyrtohen nga komisioni i veçantë.

Rishikimi i këtyre ligjeve vjen vetëm 7 muaj nga afrimi i zgjedhjeve bashkiake, si dhe rreth 3 muaj nga zgjedhja e Bajram Begajt si president i vendit.