Peleshi: Kjo është një luftë e re kibernetike, jemi fatlumë që jemi në NATO, duhet vigjilencë e investime
Në një dalje për mediet, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u shpreh se sulet kibernetike kanë treguar se nuk mund të ketë mbrojtje të përhershme, por që duhet vigjilencë dhe investim.
Ai tha se nuk janë prekur sistemet e ministrisë së Mbrojtjes pasi ato janë online dhe jashtë këtij sistemi, por theksoi se duhet pasur kujdes.
Peleshi: Ky ekip vjen në vendin tonë për të dhënë asistencë në lidhje me çështjet kibernetike, njohje me situatën aktuale si dhe nevojat dhe mundësitë për adresimin e këtyre çështjeve në vazhdim. Pas sulmeve kibernetike ndaj sistemeve dhe infrastrukturës së teknologjive të informacionit të shtetit shqiptar tashmë të indentifikuara për nga origjina, i menjëhershëm ka qenë reagimi dhe përgjigja e strukturave të specializuara të vendit në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate.
Këto sulme kishin për qëllim shkatërrimin e plotë të sistemeve dhe platformave të shërbimeve shtetërore, por nuk arritën qëllimin e fshirjes dhe shkatërrimit të të gjithë sistemeve tona të teknologjive të informacionit. Qeveria shqiptare reagoi menjëherë pasi siguroi prova të pakundërshtueshme për origjinën e sulmit duke ndërprerë menjëherë marrëdhëniet me Iranin. Aleatët tanë dënuan ashpër sulmet dhe dolën krah Shqipërisë nëpërmjet deklaratave të ndryshme apo dhe me afrimin e asistencës së specializuar në fushën kibernetike. Aktualisht pas afro 5 javësh punë intensive është bërë i mundur rikthimi i sistemeve dhe platformave të ndryshme në shërbim të qytetarëve të vendit tonë.
Këto sulme kanë treguar se nuk mund të jemi të mbrojtur në mënyrë permanente, por duhet të jemi vigjilentë dhe të aftë të mbrojmë infrastrukturën dhe teknologjitë e informacionit të vendit tonë duke investuar më shumë në drejtim të luftës kibernetike. Investime të shumta janë bërë këto vite, por kjo është një luftë e re që ka marrë tjetër intensitet edhe pas agresionit rus në Ukrainë, që ka prishur ekuilibrat gjeopolitikë dhe ka ndryshuar skemën e sigurisë.
