Ish-spiunët jashtë institucioneve, nis debati për deklasifikimin e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit

Mazhoranca dhe opozita u përfshinë në debate lidhur me dy nismat për dekomunistizimin e politikës. Opozita kërkoi që të hapen të gjitha dosjet e ish-Sigurimit nga 29 nëntori 1944 deri në 2 korrik 1991, ndërsa pjesë e këtyre të mos jenë ish-të përndjekurit. Ndërsa socialistët kërkuar që ti jepet e drejta Autoritetit të Dosjeve të kryejë verifikimin e të gjithë personave që do të kandidojnë për institucionet kushtetuese, Partia e Lirisë iu bën apel PS-së që të heqë dorë nga praktikat joligjore për ti bërë presion kundërshtarëve.

Kuvendi i Shqipërisë nisi këtë të mërkurë, 21 shtator,  shqyrtimin e dy nismave të deputetëve për deklasifikimin e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit si dhe verifikimit të certifikatave të pastërtisë për personat që kandidojnë në institucionet kushtetuese.

PD-ja përmes Enkelejd Alibeajt ka propozuar që të hapen të gjitha dosjet e ish-Sigurimit nga 29 nëntori 1944 deri në 2 korrik 1991 me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes vendeve dhe atyre që cënojnë sigurinë kombëtare.

Enkelejd Alibeaj:” Të konsiderohen të deklasifikuara dokumentet nga 29 nëntor 1944 deri në korrik 1991. Nga zbatimi i kësaj dispozite përjashtohen dokumentet e Sigurimit të Shtetit që lidhen me marrëdhëniet mes shteteve dhe Sigurisë Kombëtare. Skepticizmi për hapjen e dosjeve në këto 30 vite, tani nuk është më i vërtetë. Askush nuk ka kërkuar shpagim, apo të ketë rrezik për trazira sociale.

Nga ana tjetër socialistët kërkuan që ti jepet e drejta Autoritetit të Dosjeve të kryejë verifikimin e të gjithë personave që do të kandidojnë për institucionet kushtetuese.

Klotilda Bushka: Nisma është tërësisht në përputhje me të drejtën e publikut për transparencë dhe të drejtë informimi. Është për ata persona që mund të ushtrojnë funksione publike. Është një simbolikë e fuqishme për brezat e ardhshëm. Mund të keni të drejtën tuaj ta paragjykoni.

Ndërsa kreu i republikanëve Fatmir Mediu bëri thirrje të mos hapen dosjet e ish-të përndjekurve politikë.

Fatmir Mediu: “ Të hapen dosjet, por nuk mund ti bëjmë moral ish-të përndjekurve politikë. Ka histori të presioneve brenda familjes që ne nuk mund ti rindezim. Nëse nuk u dhamë mundësinë që për këto krime nuk ka asnjë përgjegjës sot, të paktën të mos u shtojmë mundimet brenda familjeve. Vetë shteti funksionon bazuar mbi balancën e pushteteve. Nuk fillon çdo gjë kur na do qejfi ne për të goditur politikisht. Do të ishte e drejtë që të orientohemi drejtë transparencës. Shtresën e të përndjekurve politikë duhet ta përjashtojmë për të mos i shtuar më shumë se çka kaluar në këto 30 vite. Hiqni dorë nga hapja e dosjeve për të përndjekurit politikë.

Përgjigjja për këtë kërkesë do të vinte nga demokrati Enkelejd Alibeaj, i cili i kujtoi Mediut se “e vërteta bën të lirë këdo”.

Enkelejd Alibeaj: “Jam i prirur të shoh dhimbjen që ka ndodhur ndaj të gjithë pjesës së të persekutuarve politikë. Dilema ka qenë kjo, të mos hapim dosjet se mund të ketë pasur raste kur vrazhdësia e ish-sigurimit mund të ketë shkuar brenda familjeve të ish-të përndjekurve politikë. Por kjo ka edhe rastin tjetër që vrazhdësia e ish-sigurimit nuk do të dilte asnjëherë. Kjo lloj dileme na ka shoqëruar ne gjatë gjithë kohës. Ajo që kam bindjen që duhet të ndodhë është e vërteta na bën të lirë. Edhe ish-të përndjekurit politikë që kundër dëshirës së tyre, të shtyrë, të shantazhuar, nën presion mund të jenë thyer nga presioni komunist, shoqëria shqiptare sot, por edhe familjet e tyre, do të duhet të kuptojnë që shkak nuk ka qenë thyerja e tyre, por ka qenë kriminaliteti i shtetit komunist.

Ndërsa deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho i bëri thirrje palëve që të mos e përdorin këtë ligj për të dengruar kundërshtarët politikë

Në vijim Xhixho deklaroi se mënyra se si po vihet në lëvizje është antiligjore dhe e papranueshme, ndaj kërkoi nisjen e menjëhershme të hetimeve.

Ish-spiunët jashtë institucioneve, nis debati për deklasifikimin