Gjykata mban peng televizionet, Rtv Ora dhe Ora News nën sekuestro në tejkalim afati. Çështja në Apel
Dy mediet, RTV Ora dhe Ora News si dhe pronat e presidentit të Yldon Media Group dhe familjes së tij vijojnë të mbahen nën sekuestro edhe pse afatet ligjore kanë kaluar thanë avokatët e zotit Ndroqi në përfundim të seancës së sotme në Gjykatën Speciale.
"Edhe gjatë seancës së sotme argumentet e prokurorisë së Gjykatës nuk e mohojnë faktin që ne jemi në tejkalim të këtij afati dhe gjykata vijon gjykimin. Kjo gjykatë vijon në paligjshmëri gjykimin e kësaj çështjeje dhe do të mbajë të sekuestruar pronat në paligjshmëri” tha Besnik Muçi, një nga avokatët mbrojtës duke nënvizuar se vendimet e kësaj gjykate do të apelohen.
Pasi gjykata rrëzoi dy kërkesat e palës mbrojtëse u kërkua përjashtimi i gjyqtares.
"Me qëndrimin që mbajti gjyqtarja sot duke rrëzuar 2 kërkesat plotësisht të mbështetura në ligj, është shprehur dhe për thelbin e çështjes" tha avokati Muçi.
Dosja në apel
Avokatët thanë se do të apelohet vendimi i masës së sekuestros por dhe vendimi i pushimit të gjykimit.
“Pa diskutim do apelojmë. Nuk jemi në shinat e ligjit por kemi dalë arave e gjykojmë sipas vlerësimit të secilit” tha avokati Besnik Muçi.
Pronat e Ndroqit
Nga ana tjetër është prezantuar raporti i ekspertëve të caktuar nga gjykata që ka certifikuar të gjitha pronat e zotit Ndroqi si të vendosura me burime të ligjshme.
Avokati Jordan Daci nënvizon se është arritur të vërtetohet nga pala mbrojtëse me argumente dhe aktin e urdheruar nga vetë gjykata që bilanci i të hyrave dhe të ardhurave për zotin Ndroqi dhe familjarët e tij është pozitiv dhe në disa shifra shumë më të mëdha sesa pretendohej nga prokuroria.
Jordan Daci: “Me aktin e ekspertimit që sot nga prokuroria u pranua pa vërejtje, pretendimi për bilance negative 3 mln euro, është shndërruar në zero pasi ne dalim me bilanc pozitiv në të dy variantet me të cilin ndodhet akti i ekspertimit dhe merr formë përfundimtare në seancat e ardhshme"
Ndërkohë çështja është dërguar në Arbitrazhin Ndërkombëtar lidhur me dëmin financiar që ka pësuar bashkëshortja e zotit Ndroqi për shkak të shtetësisë së një vendi me të cilin Shqipëria ka marrëveshje për mbrojtjen e investimeve. Deri tani avokatët thonë se dëmi financiar është 130 mln dollarë.
Prej 2 gushtit, dy televizionet RTV Ora dhe Ora News mbahen në sekuestro jashtë afateve ligjore.
