"Nuk keni parë gjë akoma" Agim Baçi: Prokuroria, rojtare e qeverisë, të mos dalin ata që kanë shkuar keq

Analisti dhe gazetari Agim Baçi thotë se prokuroria u nxitua me urdhrin për të ndaluar publikimin nga mediat vendase të të dhënave të përfituara nga sulmi kibernetik që goditi sistemet e informacionit të Policisë së shtetit, të cilat janë hedhur online.

 “Sulmet mund të ndodhin por ka përgjegjës. Qeveria shqiptare shquhet për mungesë përgjegjësie për të marrë përsipër atë që i takon” thotë Baçi në një intervistë për “Ditë e Re” në RTV Ora.

Vendimin e prokurorisë e sheh ligjor por thotë se prokuroria po bëhet qesharake pasi në vend që të hetojë kush I nxori këto të dhëna u mor me pasojën.

Agim Baçi: “Jam dakord që media nuk duhet të publikojë të dhëna sensitive, duhet të fokusohet tek gjërat që publiku duhet ti dijë, që janë gjëra që qeveria ka bërë keq dhe ka gënjyer pra duhet të ketë investigim, por prokuroria merret me pasojën. Ka hallin të mos marrë vesh çfarë ka bërë qeveria por por nuk ka hetim për përgjegjësit, ata persona që paguhen me taksat tonë që të merren me këtë gjë. Këtu ka një nxitim të prokurorisë që të mos botohet asgjë. Duket si rojtare e madhe e qeverisë që qeveria të mos dalë në treg me atë që ka shkuar keq, se nuk keni parë gjë akoma. Nuk keni parë gjë akoma se mund të dalin emailet e vetë kryeministrit”

Baçi thotë më tej se qytetarët janë taksapagues dhe duhet ti kërkojnë llogari atyre që votojnë për të menaxhuar taksat e tyre

Agim Baçi: “Duket që qeveria ka hallin të mos dalë në pah ajo që nuk ka bërë mirë, nuk ka ditur të ndërtojë ose janë hedhur paratë por nuk kanë shkuar për këtë lloj sigurie kibernetike. Nëse ti hedh të gjitha dhënat sensitive të shqiptarëve duhet të japësh garanci që këto të dhëna nuk do të keqpërdoren. Këtu ka një concept të gabuar pasi qytetarët ende mendojnë si militant dhe jo taksapagues. Kërkohet  që media duhet të rreshtohet tek ajo që i duhet qeverisë për të dalë në treg, ndërkohë që synimi i medias është transparenca, sigurisht duke bërë një investigim"

Emisioni "Dite e Re" transmetohet çdo ditë në RTV Ora me moderatorë Arjola Shehun e Arjon Muça.