Sekuestro e Rtv Ora dhe Ora News në Strasburg? Muçi: I ka të gjithë elementët, Shqipëria është dënuar disa herë për të drejtën e pronësisë

Prej 2 gushtit, dy televizionet RTV Ora dhe Ora News mbahen në sekuestro jashtë afateve ligjore. Besnik Muçi, një nga avokatët mbrojtës thotë se ky proces gëzon të gjithë elementët që të çohet deri në Strasburg.

Muçi: Padiskutim. Shqipëria për shkelje të drejtës së pronësisë është dënuar disa herë nga gjykata e Strasburgut. Është shkelur neni 6 i Konventës, procesi i rregullt gjyqësor. Kjo përbën shkak që gjykata e Strasburgut ta konsiderojë këtë proces në kundërshtim me nenin 6. Në këtë moment zotit Ndroqi i lind e drejta për tu dëmshpërblyer.

Për Ora News me gazetarin Everest Dedaj ai nënvizoi se ekspertët e caktuar nga gjykata në aktekspertimin e tyre kanë konkluduar që të gjithë pasuritë e zotit Ndroqi janë vendosur nga burime të ligjshme.

Duke bërë një kronologji të rastit, avokati tha se janë shkelur të gjitha afatet.

Muçi: Prej dy vitesh e pak muaj po zhvillohet procesi dhe objekt kryesor është Rtv Ora dhe Ora News. Është një maratonë shumë  gjate gjyqësore dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar. Kohëzgjatja e masës së sekuestrimit për një pasuri është 6 muaj. Po sipas ligjit gjykata mund të zgjasë afatin me periudha 6 mujore por jo më shumë se dy vjet.

Me përfundimin e periudhës 2-vjeçare bie masa e sekuestros. Në 3 gusht masa e sekuestrimit ka rënë, ndërkohë gjykata vazhdon gjykimin. Kjo është baza ligjore ku mbështesim kërkesën tonë për heqjen e masës së sekuestros.Po ashtu ka kaluar ka kaluar dhe afati i gjykimit i kërkesës për konfiskimin e pasurisë. Ligji parashikon që prokuroria brenda një viti duhet të paraqesë kërkesën për konfiskimin e pasurisë.

SPAK me 14 qershor 2021 e ka paraqitur këtë kërkesë dhe me 14 ka filluar shqyrtimi nga GJKKO. Kohëzgjatja e gjykimit të kërkesës për konfiskim është tre muaj, në raste komplekse gjykata mund ta zgjasë deri në 1 vit. Dhe ky afat ka përfunduar në 14 qershor 2022. Prokuroria dhe gjykata janë jashtë afateve të shqyrtimit të kërkesës për konfiskimin e pasurive të familjes Ndroqi dhe pasuritë mbahen të sekuestruara tej afateve që parashikon ligji.

Ky ishte shkaku ligjor që ne i kërkuam gjykatës heqjen e mass së sekuestros dhe pushimin e gjykimit të kërkesës për konsfiskim pasi ka kaluar afati i shqyrtimit të kësaj kërkese. Gjykata e ka shtyrë seancën për tu shprehur ditën e nesërme për kërkesën e shuarjes së masës së sekuestros, presim të shprehet dhe për kërkesën tonë për pushimin e gjykimit për konfiskim.

Pyetjes se si është e mundur që afatet shkelen në këtë mënyrë, avokati Muçi i jep këtë përgjigje.

Muçi: I jemi drejtuar me disa kërkesa prokurorisë për të shpejtuar hetimin pasi për shkak të gjendjes së krijuar bizneset e familjes Ndroqi po shkatërroheshin, po bjerreshin. Edhe Rtv Ora me shumë vështirësi ka arritur të mbijetojë këto vite ndërkohë që bizneset e tjera janë shkatërruar pothuajse plotësisht. Edhe gjykatës i kemi kërkuar të përshpejtojë gjykimin.

Duke qenë se pasuritë janë të ligjshme edhe lirimin e menjëhershëm të pronës që të funksionojnë në mënyrë normale. Nuk mbaj mend asnjë rast të vetëm që akuza apo gjykata të ketë tejkaluar afatet e gjykimit të kërkesave për sekuestrim apo konfiskim. E kam të vështirë ta shpjegoj. Janë afate që nuk mund të shtyhen.

Muçi risolli në vëmendje se zonja Ndroqi e ka dërguar çështjen në Arbitrazhin Ndërkombëtar.

Muçi: Çështja është dërguar në Arbitrazhin Ndërkombëtar lidhur me dëmin financiar që ka pësuar bashkëshortja e zotit Ndroqi për shkak të shtetësisë së një vendi me të cilin Shqipëria ka marrëveshje për mbrojtjen e investimeve.

Me këtë bazë ligjore zonja Ndroqi i është drejtuar Arbirtrazhit dhe ka kërkuar dëmin financiar që ka pësuar nga gjithë ky proces që në vlerësiminn tonë është hapur në shkelje të ligjit të gjithë legjislacionin kombëtar por edhe atij ndërkombëtar. Kanë filluar procedurat, në dijeninë timen është bërë njoftimi i shtetit shqiptar lidhur me vlerën e dëmit që i është shkaktuar zonjës Ndroqi.