Soko: Këtu edhe po u bënë tendera për sigurinë kibernetike do t'i vjedhin ata
Në “Ora e Betit” në RTV Ora, nga Beti Njuma, gazetari i ekonomisë Pano Soko u shpreh se shërbimi i informacionit është një shërbim luksi që ne nuk mund ta kemi dot.
Sipas tij, teknologjia është një gjë e mirë, por theksoi se sistemi në vendin tonë do të bëjë që të vidhen tendera për sigurinë kibernetike.
Soko: Shërbimi i informacionit në thelbin e vet është një shërbim luksi që ne nuk mund ta kemi, të paktën në këtë mënyrë sesi e kemi ndërtuar shtetin. Një e dhënë që ndoshta do të pasqyrojë realitetin shqiptar, është se në Shqipëri vetëm 1/3 e popullsisë ka depozita bankare, kur jetojmë në kohën kur është e ndaluar me ligj dhënia e pagës në dorë. Nuk kemi arritur që të emancipohemi sepse shumë njerëz që e kanë drejtuar kanë qenë të interesuar ta mbajnë prapa sepse kështu administrohemi më lehtë.
Nuk jemi ne për t’i besuar teknologjisë, me gjithë dëshirën e mirë që kemi, sepse do të bëhet ai tenderi dhe do të vjedhin ata. E kjo punë nuk bëhet me të vjedhur. Në rrugë ti mund ta sigurosh sigurinë me polici, por në internet nuk funksionin kështu. Nuk e ruan dot me policë. Nuk e ruajnë dot ata që janë më të fortë sesa ne.

