Takimi i SEECP në Ohër, Fule: Të gjendet kompromisi për pranimin e Kosovës
Takimi formal i Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore (PBEJL), paraqet një zë të rëndësishëm për të ardhmen e rajonit, është shprehur komisioneri për zgjerim, Stefan Füle në Ohër para krerëve të diplomacisë së rajonit.“Ky bashkëpunim duhet të jetë inkluziv dhe të arrihet konsensus për pranimin e Kosovës, akt ky që do të përshëndetej edhe nga Bashkimi Evropian”, ka theksuar Füle.Ai nënvizoi se normalizimi i raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës paraqet një proces të gjatë.Në Ohër marrin pjesë dhe ministri Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivan Mërkiç dhe zëvendësministri kosovar i punëve të jashtme, Petrit Selimi.Ky i fundit, për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se takimi në Ohër, pas dështimit të krerëve të shtetit për shkak të mospjesëmarrjes së Kosovës në mënyrë të barabartë, është me shumë rëndësi që tensionet e krijuara të mos nxisin shkapërderdhjen totale të bashkëpunimit rajonal.“Zoti Füle sot ka theksuar një kusht esencial: që rajoni të ketë një bashkëpunim të mirëfilltë e ai është inkluziviteti mes shteteve, do të thotë kjo dhe është fjala kyçe e cila përkthehet në përfshirjen e Kosovës në mënyrë të barabartë në të gjitha iniciativat rajonale. Unë besoj se takimi i sotëm në Ohër ka konfirmuar se pa Kosovën nuk mund të imagjinohet çfarëdo bashkëpunimi i mirëfilltë në nivel rajonal”, tha Selimi.Sekretari i përgjithshëm i KRB-së, Goran Svillanoviç, duke folur për anulimin e Samitit të Ohrit të presidentëve, tha se kjo do të sjellë rezultate në planet afatgjate të së ardhmes së vendeve të rajonit.“Në suaza afatgjata mendoj se është mirë, se presidenti Ivanov deklaroi hapur se duhet sinqerisht të bisedohet cilat janë problemet në rajon, cilat janë zgjidhjet e mundshme që mund të gjinden dhe njëherësh ato zgjidhje të respektohen nga ana e të gjitha palëve”, tha ai.Selimi vlerësoi se nuk bëhet fjalë vetëm për krijimin e një klime të mirë por edhe për respektimin e tërësishëm të marrëveshjes së Brukselit.“Kosova si shtet është e pranuar nga një shumësi e madhe e vendeve të BE-së, njëkohësisht edhe anëtare e shumë organizmave rajonalë dhe tek e fundit edhe Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit, ku sekretar i përgjithshëm është ish-ministri i punëve të jashtme i Serbisë, Goran Svillanoviq, dhe ne nuk kërkojmë as më pak e as më shumë sesa që ky realitet të njihet në të gjitha forumet. Mos të krijomë institucione parciale, gjysmake, ku në disa forume mund të jemi bashkë dhe në disa tjera jo”, tha ai.