Emigracioni përçan politikën, Sula: Politika të mos mbyllë sytë ndaj parave të pista të “çunave të Londrës”
Qeveria është dorëzuar përballë parandalimit të shpopullimit. Deklarata vjen nga opozita në Komisionin e Ligjeve ku u miratua memorandumi mes Shqipërisë dhe Britanisë së madhe në lidhje me emigrantët e paligjshëm. Ligjvënësit demokratë theksuan se paratë e pista të emigratëve shqiptarë po investohen në Shqipëri, ndërsa qeveria pranoi se grupet kriminale shqiptare po përdorin një rrugë të re për trafikun drejt Anglisë.
Mazhoranca dhe opozita në Komisionin e Ligjeve u përfshinë në debate, ku shkak u bë projektligji për memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe në lidhje me emigrantët e paligjshëm shqiptarë që shkojnë atje.
Gjatë diskutimeve, deputeti demokrat Dashnor Sula tha se përpara se ky projektligj të kalojë për votim, duhen sqaruar arsyet që çuan në urgjencën dhe domosdoshmërinë e tij.
Sula: “Të ardhurat e shtëpive të barit investohen në shtetin shqiptare. Nëse vullneti politik bëjnë të tyren që të mos mbyllin sytë ndaj parave që vijnë nga “çunat e Londrës” dhe investohen në bregdet. Bankat e nivelit të dytë nuk kontrollojnë “çunat e Londrës”. Ndodh që rekrutohet djem të rinj 18-vjeçarë duke ua shtruar me lule se do të merren atje me shtëpi bari. Të gjithë thonë kam ardhur këtu për të larë borxhin, pasi është 25 mijë euro për të shkuar në Angli, ose me gomone me 5 mijë euro”
Ndërsa Drejtori i Departamentit të Kufirit foli dhe për përdorimin e rrjeteve sociale nga grupet shqiptare kriminale që reklamojnë “biznesin” e trafikut të qenieve njerëzore për në Britaninë e Madhe
“Ka pasur tendenca qoftë përmes rrjeteve sociale për të angazhuar grupet kriminale për të marrë një numër më të madh e për të rritur fitimet e tyre”
Deputeti demokrat kërkoi që të ndalen investimet në shqipëri nga të ardhurat e veprimtarive të paligjshme të emigrantëve shqiptarë në Angli.
Sula: Kërkesa e palës britanike është për të kuptuar si mund të parandalohet ky emigracion i paligjshëm. Y parandalim bëhet vetëm me anë të qeverisë shqiptare, ndërsa qeveria jonë i nxit. Çunat e rinj po ikin. Mos përpiqemi ta mbulojmë këtë fenomen. Për sa kohë ky vend nuk do të bëjë për rininë dhe qytetarët, të rinjtë do të ikin. Nuk e kanë fajin ata, po shteti.”
Zv.ministri i Brendshëm Andi Mahila ka pranuar se grupet shqiptare kriminale të trafikut të qenieve njerëzore kanë gjetur një tjetër rrugë të re për migrimin drejt Britanisë së Madhe, përmes Irlandës së Veriut.
Mahila: Por natyrisht për pjesën e shfrytëzimit të një linje tjetër nga Irlanda e Veriut, patjetër që kemi informacion. Jemi në dijeni, kjo është lufta ndaj bëhet dhe bashkëpunimi i strukturave, shteteve
Ndërsa Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelej Alibeaj tha se duhet bërë një analizë se përse shqiptarët largohen nga vendi, qoftë dhe në mënyrë të paligjshme.
Alibeaj: “A duhet të ishte një politikë realiste të eleminojë fenomenin. A keni bërë një analizë përse shqiptarët sot ikin? Gjendja ekonomike, kriminaliteti, pasiguria, nevoja për një jetë më të mirë. Ka një analizë të plotë të këtij fenomeni? A mund të bëhet një lloj krahasimi me kohën kur, në 2013, është bërë sërish një akt i ngjashëm. Atëherë Britania ishte pjesë e BE-së, tani rregullat janë ndryshe. Në vitin 2010, një nga kërkesat e BE-së ishte zerimi i dëshirës së shqiptarëve për të ikur. Nga PD-ja ishte një kërkesë e përmbushur, e për këtë arsye u liberalizuan edhe vizat. Sot ka lindur prapë nevoja për të ikur. Shqiptarët që shkojnë atje, kryejnë një veprimtari që etiketohet si veprimtaria e shtëpive të barit. Por kjo tregon arsyet reale pse shqiptarët ikin atje. A ka ministria e Brendshme informacion se sa është numri i shqiptarëve që angazhohen në një veprimtari të tillë?
Pavarësisht debateve marrëveshja mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe u miratua nga mazhoranca në Komision duke ia kaluar Parlamentit për votim në seancën e së enjtes.