Dy dosje për sulmin kibernetik. Prokuroria reagon për ngjarjen: Po bashkëpunojmë me partnerët

Goditja kibernetike ndaj sistemit TIMS po hetohet tashmë nga Prokuroria e Tiranës. Organi i akuzës njoftoi se e ka bashkuar me dosjen e sulmit ndaj platformës e-albania edhe ndërhyrjen e fundit të datës 9 shtator ndaj sistemit të policisë. Prokuroria tha se hetimi është kompleks dhe për gjetjen e autorëve po bashkëpunon me partnerët e huaj si dhe ka dërguar letërporosi jashtë në disa shtete ku besohet se ka vepruar hakerat.

Sulmi kibernetik ndaj sistemit TIMS është bërë objekt hetimesh nga Prokuroria e Tiranës e cila ia ka bashkuar edhe këtë rast dosjes së hapur në korrik për sulmin kibernetik ndaj portalit e-Albania.

Zyra e shtypit bëri të ditur se më 19 korrik 2022 Prokuroria e Tiranës, regjistroi procedimin penal për veprat penale “Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”; “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”; “Ndërhyrja në Sistemet kompjuterike”; dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”, pas ndërhyrjes së paligjshme që nxori nga funksioni për rreth një javë platformën e-albania. Sipas prokurorisë, objekti i hetimit është sulmi kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-it që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në Republikën e Shqipërisë. 

Ndërkohë më datë 9 shtator 2022 është kryer një tjetër sulm kibernetik në pajisjet dhe sistemet që administrohen dhe menaxhohen nga Ministria e Brendshme në Shqipëri. Prokuroria tha se këto dy veprime, duke qenë se janë kryer me të njëjtën tipologji dhe sulmi kibernetik ka ardhur nga i njëjti burim, po hetohen në një dosje të vetme.

Organi i akuzës theksoi se si në momentin e sulmit të parë ashtu edhe në sulmin e dytë, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme për hetimin e rastit përmes kqyrjeve, përgjimeve dhe veprimeve të tjera të nevojshme. Organi I akuzës bën të ditur se në bashkëpunim të ngushtë me gjithë agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët që asistojnë autoritetet shqiptare, grupi I hetimit ka kryer një sërë veprimesh duke përfshirë dërgimin e letërporosive për ndihmë juridike në disa shtete ku mendohet se kanë vepruar hakerat që kryen ndërhyrjen. Sipas prokurorisë, hetimet për të dyja rastet janë komplekse.

 

Dokumenta bashkëngjitur