"Të frymëzohemi nga Azemi" Rudina Hajdari thirrje të rinjve: Rama po uzurpon pushtetet, hajde të ngrihemi
Në 24-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit, opozita ka kërkuar që nën shembullin e tij qytetarët të bëhen bashkë e të protestojnë. Të njëjtën thirrje ka bërë edhe vajza e Azem Hajdarit ish-deputetja Rudina Hajdari për ti bërë bashkë të rinjtë e për tu përballur me qeverinë Rama.
Në 24-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit familjarët zhvilluan homazhet në nder të tij.
Vajza e tij, ish-deputetja Rudina Hajdari i ka bërë thirrje të rinjve të gjejnë një frymë të përbashkët e nën shembullin e babait të saj të organizohen protesta kombëtare kundër atij që e quajnë regjimi i Edi Ramës.
Hajdari: Shqipëria po kontrollohet nga një grup njerëzish me në krye Edi Ramën që po uzurpojnë të gjitha pushtetet ndërsa shqiptarët kanë humbur shpresat se ndryshimi po vjen. Azemi është figura ku mund të frymëzohemi e motivohemi. Ai në 1990 u çua për të sjellë ndryshimin. Mesazhi im është për të rinjtë që duan të ndërtojnë jetën këtu. Hajde të organizohemi, të çohemi, të luftojmë e guxojmë për ëndrrat e idealet tona. Të fitojmë betejat tona për më shumë liri, demokraci e meritokraci. Nëse Azemi kishte guxim ti bënte atëherë dhe ne mundemi.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe deputetët mbështetës të tij.
Berisha ka bërë të njëjtën thirrje për bashkim kombëtar në protesta të njëpasnjëshme.
Gjithashtu ai akuzoi se sot pjesë e pushtetit është edhe personi që ka firmosur për vrasjen e Azem Hajdarit dhe po përpiqet ta kthejë vendin në monizëm.
Berisha: Vepra e Azem Hajdarit është një frymëzim i madh për shqiptarët për tu ngritur fuyqishëm në protesta dhe demonstrata për të rrëzuar këtë regjim i cili qëndron mbi votën e vjedhur, lidhjet e tmerrshme mbi krimin dhe drogën si një vasal i Beogradit, qëndron si një antishqiptar i vërtetë, si një armik i egër.
Në një tjetër ceremoni, edhe kryetari i Partisë së Lirisë ka qenë në sinkron me fjalën e Berishës duke i parë protestat si të vetmen zgjidhje.
Meta: Është shpirtit i protestës ajo që do të rivendosë demokracinë dhe do të garantojë se sistemi i llogaridhënies do të funksionojë për 200 vitet e ardhshme.



