Projekti i 100 laboratorëve në shkolla, Rama: Do të ndihmojë të rinjtë në tregun online, ka paga më të larta
Në nisjen e vitit të ri shkollor, kryeministri i vendit Edi Rama dhe ministrja e arsimit Evis Kushi ishin në shkollën Jeronim DeRada, në Tiranë, ku dhe prezantuan projektin e digjitalizimit të procesit mësimor.
Të quajtura si laboratorët teknologjik, fillimisht ata do të jenë rreth 100, të shtrirë në të gjithë vendin.
Një metodë e tillë, sipas kryeministrit, do të ndihmojë të rinjtë që të orientohen drejt një tregu tjetër, atij të punëve online që, sipas tij ka dhe të ardhura më të larta se normalja në vendin tonë.
"Ajo që është themelore është se këto laboratore do ti japin mundësi edhe nxënësve të klasës së parë të futen në një fazë më të thelluar të mësimit dhe përmes kësaj diturie, do të bëhen të aftë për një treg pune komplet tjetër.
Ky është dhe qëllimi. Ndërkohë që, siç kemi folur, do të shtrijmë më tutje gjithë programin e studimit, në bashkëpunim me sipërmarrjet, në mënyrë që të krijojmë një shtresë komplet të re.
Kjo në fakt ka filluar të formësohet, por ne duam ta nxisim fuqishëm që brenda një periudhe të arsyeshme 2-3 vite, të kemi një numër shumë të konsiderueshëm të rinjsh që janë punësuar në një treg ndryshe. Ai i punës online dhe që ka të ardhura shumë më të larta se të ardhurat normale," tha Edi Rama.
