10 mijë nxënës më pak/ Mësim me turne në 20 shkolla në Tiranë
Ky vit i ri shkollor ka nisur me rreth 10 mijë fëmijë më pak. Sipas të dhënava paraprake të Ministrisë së Arsimit, rezulton se në arsimin parauniversitar, përfshirë edhe shkollat profesionale janë regjistruar rreth 450 mijë nxënës nga 460 mijë që ishin vitin e shkuar.
E mbërthyer nga emocionet, gjithë ndrojtje e me hapa të pasigurtë e nisi ditën e parë të shkollës Dias.
"Jam e lumtur që nisa shkollën. Kam pak emocione," tha ajo.
Nga kjo klasë, fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës fillojnë rrugën e gjatë të dijes.
Teksa disa qëndrojnë të heshtur, të tjerë tregojnë se e kanë pritur me padurim nisjen e mësimit.
"Jam shumë e lumtur sot, për ditën e parë të shkollës që do të mësojmë. Se njerëzit kështu bëhen shumë të zgjuar," tha ajo.
Për arsimtarët, pavarësisht eksperiencës së gjatë, çdo brezi i ri sjellë sfida të ndryshme.
"Çdo vit që marr klasë të parë, janë fëmijë të rinj, prindër të rinj dhe emocioni është i papërshkrueshëm," tha mësuese Zahide Lleshi.
Nisja e mësimit të hënën e 12 shtatorit rikthehu gjallërinë në oborret e shkollave
"Mezi e prisja dhe jam shumë e lumtur për këtë.
Do të futem në klasë të dytë dhe do të kënaqem shumë.
Mezi po pres të takoj mësuesen," thanë ata.
Kanë marrë me vete lule për ata që do i mësojnë e edukojnë, por nuk kanë harruar as këshillat e prindërve.
"Sillu mirë! Merr ndonjë notë të mirë! Mëso," thotë një prej tyre.
Në merak për ecurinë e të vegjëlve janë prindër e gjyshër.
"E lumtur pasi ky është një fëmijë që e do shumë shkollën. Kemi emocione dhe ne si prindër," thotë një mama.
Në Tiranë arsimin parauniversitar e nisën mbi 100 mijë nxënës. Në më shumë se 20 institucione arsimore mësimi do të zhvillohet me dy turne.
Drejtorja e Shkollës "Sabahudin Gabrani", Astasi Keri, ku do të zhvillojnë mësim pasditeve nxënësit e shkollës "Emin Duraku" thotë se janë marrë të gjitha masat.
"Procesi mësimor në shkollën tonë përfundon në orën 12:10 pa shkurtuar asnjë minutë orët. Pastrohen ambjentet. Do të ajrosen dhe në orën 13:00 vijnë nxënësit e shkollës "Emin Duraku"," tha ajo.
Ky vit i ri shkollor nisi me 10 mijë fëmijë më pak. Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Arsimit rezulton se në sistemin parauniversitar përfshirë dhe shkollat profesionale janë regjistruar rreth 450 mijë nxënës nga 460 mije që ishin vitin e shkuar.
Në banka për herë të parë këtë shtator u ulën 29 mijë fëmijë nga 30 mijë vitin e kaluar.
