Rama: Diploma shqiptare të njihet në BE, Gjuha shqipe të mbrohet me provim si anglishtja

Gjuha shqipe të mbrohet me provim njëjtë si anglishtja.

Ishte ky sugjerimi i Kryeministrit Edi Rama në Kongresin Kombëtar të Arsimit ku deklaroi se gjuha shqipe sot është e rrezikuar.

"Është gjë e madhe dhe shumë e mirë që kemi një sistem të tërë provimesh të anglishtes, por është realisht një mangësi sot që ne nuk kemi të njëjtin sistem për gjuhën tonë amtare të cilën e marrim si të mirëqenë," tha ai.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Kreu i qeverisë tha po ashtu se gjuha shqipe duhet të futet në çdo nivel të arsimit dhe duhet t’i jepet më shumë prioritet.

"Mjafton që të harxhojë secili një orë për të lundruar në të gjithë kanalet e informacionit që të shikojë se çfarë ndodh me gjuhën shqipe, me shenjat e pikësimit," tha Rama.

Kryeministri tha po ashtu se ka nisur puna për të bindur Bashkimin Evropian ta përfshijë sistemin universitar të vendeve të ballkanit në sistemin europian.

"Njësimi i diplomës, mundësia që ti të studiosh në Shkodër apo Vlorë, por të marrësh një diplomë europiane, falë kësaj sinergjie është shumë e thjeshtë dhe mbi të gjitha është një proces i mbështetur financiarisht dhe masivisht nga BE-ja," tha ai.

E pranishme në Kongres, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim theksoi se arsimimi do të jetë kyc në rrugën se sa shpejt do të lëvizë Shqipëria në rrugën drejt BE-së.

“Mbështetja për reformën arsimore është po aq e rëndësishme për ne sac është ajo në drejtësi edhe për luftën ndaj korrupsionit. Nuk ka një mënyrë të mirë për të siguruar që reformat të jenë afatgjata dhe zhvillimi të jetë i qëndrueshëm, se sa të sigurohemi për brezin e ardhshëm,” tha ambasadorja.

Kongresi për Arsimin mblodhi në Tiranë në Pallatin e Kongreseve ministra, akademikë, rektorë nga hapësira shqiptare dhe të huaj.

Punimet do të vijojnë edhe në datën 13 shtator dhe do të përqendrohen në sfidat e arsimit.